Biri im, mos ma lësho dorën!

Kultura

Biri im, mos ma lësho dorën!

Marigona Krasniqi Nga Marigona Krasniqi Më 18 nëntor 2018 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Si shumë herë në kohët e fundit, edhe sot mezi u zgjova.
Nuk munda t’a rregulloj as shtratin dhe nga dridhja e duarve më rrëshqiti pjata në tokë kur po provoja të ha supën e mëngjesit.
E pash se si më shikoj gruaja jote bir, e ndjeva edhe përbuzjen tënde dhe të qeshurat e mbesës sime.
E di që u turpëruat shumë edhe dje kur erdhën familja e nusës. Sa shumë i shpërfillnit fjalët e mia dhe sa e pa vlerë ndihesha kur më linit në gjysmë fjalët e shpesh bënit sikur nuk i dëgjonit.
Biri im, e di se u ndjeve keq edhe atë ditë në autobus kur unë flisja me zë të lartë.
E di se do doje të mos isha fare me ty edhe atë ditë kur pyeta për llambë me vajgur në barnatore.
Biri im, e di që të acaroj kur pres deri në gjysmë të natës në ballkon që ti të kthehesh nga puna.
E di që e acaroj gruan tënde kur i përzihem në punët e shtëpisë për ti ndihmuar.
E di që e acaroj edhe mbesën kur e përcjellë për tek shkolla.
Por ju lus të keni mëshirë për mua bir. Unë nuk po mundem të ec përkah kohës me ju dhe ndoshta nuk po di të ju dua me dashurinë e trendit të sotëm. Ama unë ju dua me tërë qenien time. Dhe besoj që dashuria nuk vjetrohet, nuk ndryshket e as nuk ka nevoj të zbukurohet.
Unë të dua njëlloj bir, njëlloj si atë ditë kur të mora në dorë për herë të parë, të dua njëlloj si atëherë kur rrija me netë të tëra pa gjumë për ty, njëlloj si atëherë kur me djepin tënd në krah unë vërshoja fushave për të punuar krahas babait tënd.
Biri im, mos më fajëso kur i’a plas vajit në mes të bukës apo në gjysmë të natës, por unë po vuaj bir. Po vuaj e kam mallë për ty duke të parë çdo ditë. Mallin nuk e bën vetëm largësia fizike por largësia e zemrave. Ka kohë që nuk më ke shikuar në sy dhe as që më ke puth dorën. Ka kohë që më mungon një fjalë e mirë nga ti.
Mbesa më ka thënë që do më dërgoni në shtëpi të pleqëve por ju akoma vazhdoni të thoni se do të më dërgoni në terapi vetëm për ca kohë.
Kam shumë frikë bir. Ju lus të mos më dërgoni në shtëpi të pleqëve. Unë nuk e rrita një bir të tillë, nuk e edukova në këtë frymë. Mos më largo nga shtëpia bir. Kam frikë se nga mërzia nuk do të jem vetëvetja dhe do më japin qetësues e do të humb mendjen fare pastaj.
Unë nuk jam e krisur mendërisht biri im. Jam katandisur kështu nga vuajtjet e sprovat e mëdha.
Biri im, mos ma lësho dorën. Mos më braktis bir. Këtë herë kam akoma më shumë frikë. Ama jo frikë për vetën, por frikë për ty. Frikësohem aq shumë që po e humb njerëzinë brenda vetës dhe përmes meje do e fitosh zemërimin e Zotit.
Ah, biri im…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat