Pritjet e avokatëve të grupit të Kumanovës dhe dosja 40 faqëshe e akuzës

Kumanova

Pritjet e avokatëve të grupit të Kumanovës dhe dosja 40 faqëshe e akuzës

Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 11:11
“Grupi i Kumanovës”

Gati dy vjet pasi kishte filluar, gjykimi për të ashtuquajturin “Grupi i Kumanovës”, ka ardhur në pikën e fundit.

Avokatët mbrojtës thonë se gjithçka nuk përfundon sot, pasi që ankesat e tyre do të vazhdojnë edhe në instanca të tjera të drejtësisë. Sipas tyre, trupi gjykues, në shumicën e kohës ka qenë në vijë të njëjtë me prokurorinë, dhe nuk kanë shpresë në një vendim të drejtë. Naser Raufi, avokat që përfaqëson 12 nga të akuzuarit, përmend faktin se qindra prova të propozuara e dëshmitarë që janë kërkuar për të dëshmuar, janë refuzuar nga trupi gjykues. 

Avokati tjetër, Mefail Asllani, në këtë proces ka përfaqësuar 4 të akuzuar, 3 prej të cilëve nga Kosova. Asllani thotë të jetë ndier në siklet gjatë fjalës përfundimtare, pasi, sipas tij, nuk është vërtetuar gjendja faktike dhe nuk është kuptuar e vërteta e këtij rasti. 29 personat që po gjykohen, nga Prokuroria maqedonase akuzohen për veprat ‘terrorizëm’ dhe ‘pjesëmarrje në organizatë terroriste’.  Dosja e akuzës e përpiluar nga Prokuroria për krime të rënda pjesën më të madhe të grupit të Kumanovës e ngarkon me akuzën për terrorizëm. Mirëpo kjo akuzë është hedhur poshtë nga të akuzuarit duke theksuar se nuk ka logjikë ajo çka I ngarkohet, pasi që ata nuk kishin ardhur për sulm terrorist, por për të mbrojtur shqiptarët që sipas tyre po dënoheshin dhe po vuanin padrejtësisht nga aparati shtetëror në Maqedoni si dhe sipas tyre nuk ishte realizuar Marrëveshja e Ohrit. Në dosjen 40 faqe të Prokurorisë thuhet se si dëshmi janë bisedat e përgjuara të të akuzuarve për disa muaj si dhe në ditën e sulmit, të cilat kanë qenë të ndjekura me urdhër të gjykatës. 

Prokurori, Naum Panoski në gjykatë ka përmendur edhe pjesë të provave të ofruara nga PI masat, të cilat në përputhje me ligjin, gjatë procedurës, kanë qenë të prezantuara me dyer të mbyllura për opinionin. Në bisedat e përgjuara, prokurori Panoski ka thënë se ka edhe të tilla, sipas të cilave vërtetohet se të akuzuarit kanë kontaktuar me persona të panjohur, për të marrë informacione se ku gjendet policia. Sipas prokurorisë, të akuzuarit në ditën e sulmit kanë kontaktuar edhe me persona zyrtarë të një partie politike lidhur me dorëzimin. Ka edhe bisedë të inçizuar në të cilën personi i panjohur i njofton të akuzuarit (organizatorët) se snajperistë fshihen pas ambulancës, ka thënë Panoski.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat