Kumanovarët kërkojnë funksionalizimin e transportit urban

Kumanova

Kumanovarët kërkojnë funksionalizimin e transportit urban

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 17:39
Kumanove

Ndonëse Kumanova është ndër qytetet me ajrin më të ndotur në vend, banorët nuk i kursejnë veturat as për distancat më të shkurtra brenda vendbanimit të tyre. Qytetarët thonë se trafiku i ngarkuar, sidomos gjatë dimrit, është njëri nga faktorët që po ngulfat ambientin. Viktori, i cili priste autobusin në qendër të qytetit, thotë se më autobus udhëtojnë vetëm ata që nuk kanë vetura.

“Po mendoj se është më mirë sepse nuk do të ndotet aq shumë ajri dhe do të mësohemi të përdorim më shumë transportin urban. Autobusët nuk bëjnë aq shumë ngarkesë në trafik se sa veturat e shumta që posedon çdonjëri, andaj është më mirë që nëpër qytet të udhëtohet me autobusë”, u shpreh Viktor Eftimov, qytetar.

Por, kjo është pothuajse e pamundur të realizohet në zonat periferike të qytetit. Rrugët e ngushta nëpër lagje nuk përballojnë dot fluksin e veturave që qarkullojnë pa reshtur.

“Sa i përket transportit urban mendoj se ende nuk ka kushte edhe pse rruga është asfaltuar. Mirëpo, trotuaret nuk janë të rregulluara, rruga është e ngushtë për transport urban. Sipas praktikave nëpër metropole që duhet të vijnë autobusë çdo 5 apo 10 minuta, në këtë lagje nuk mund të bëhet sepse rruga është e ngarkuar dhe trotuaret nuk janë të rregulluar”, tha Shaban Demiri, kryetar i Bashkësisë lokale të lagjes.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, thotë se linjat e transportit publik urban në Kumanovë mbahen nga kompanitë private. Por, sipas tij, banorët ende nuk e preferojnë transportin urban, edhe pse një autobus mund të zëvendësoj 50 vetura, të cilat vërtiten gjatë gjithë ditës poshtë e lartë qytetit.

“Transportin publik urban e mbajnë kompanitë, të cilat kanë marrë tenderë nga Komuna e Kumanovës, dhe të njëjtat e organizojnë edhe transportin e nxënësve. Siç e patë për momentin nëpër qytet janë vendosur mbi 20 pika ndalese të autobusëve, të cilat janë në fazën përfundimtare nga ana e Komunës. Këto kabina mund të përdoren si nga nxënësit ashtu edhe nga qytetarët që presin autobusët”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i komunës së Kumanovës.

Nga autoritetet komunale, thonë se do të merren masat për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin e transportit publik, i cili aktualisht zhvillohet vetëm nëpër bulevardet kryesore. Kryetari Dimitrievski, tha se për qarkullimin e autobusëve nëpër zonat periferike të Kumanovës, duhet të bëhet zgjerimi i rrugëve dhe rrënimi i disa ndërtimeve pa leje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat