Mësimi online sfidë për komunitetin rom, ashkali e egjiptian gjatë kohës së pandemisë

Lajme

Mësimi online sfidë për komunitetin rom, ashkali e egjiptian gjatë kohës së pandemisë

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Pandemia COVID-19 nuk ka kursyer askënd, shumë njerëz mbeten pa punë, ndërsa mësimi për një periudhë kaloi online.

Pas disa hulumtimeve, lidhur me komunitetin rom, ashkali e egjiptian në Kosovë, një përqindje e lartë e fëmijëve nuk kanë ndjekur mësimin online për shkak të mungesës së mjeteve teknologjike.

Elbert Krasniqi deputet i Kuvendit të Kosovës i cili i takon komunitetit egjiptian tha në fillim të pandemisë është e justifikueshme që Ministria e Arsimit nuk ka qenë e përgatitur të mbështesë familjet e komuniteteve dhe shtresave të tjera në Kosovë me pajisje teknologjike që të kenë mundësi të ndjekin mësimin online.

“Edhe pse  fillimisht ka qenë e planifikuar qe mësimi të transmetohet përmes RTK-së, kjo prapë se prapë nuk ka qenë mjaftueshëm e adekuate në mënyrë që fëmijët të përcjellin. Për shkak se ka shumë raste kur ajo çka është shfaqur në televizion dhe ajo çka ka qenë në plan-programin e shkollave nuk ka qenë në përputhje të plotë”, tha ai

Krasniqi thotë se nuk ka pasur mbështetje nga Qeveria, për familjet e varfra dhe komunitetet në Kosovë.

Sipas tij, kur është bërë rishikimi i buxhetit pati propozuar një amendament i cili parasheh mbështetjen në tre mijë deri në pesë mijë pajisje teknologjike për familjet në nevojë.

Ai tha se Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave kanë justifikuar se MASH do të mbështesë këto familje në mënyrë të drejtpërdrejtë në rast nevoje.

Por, sipas tij, ka ndodhur e kundërta, e kjo është vërtetuar me shkollën “Selman Riza”, e cila kishte kaluar në skenarin C në mësimin online nga distanca.

Image

 

“Aty marrin pjesë 400 fëmijë të komuniteteve të cilët nuk janë mbështetë me pajisje teknologjike që t’iu mundësohet pjesëmarrja në mësimin online”.

Zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Xhavit Rexhaj lidhur me këtë rast është shprehur “Pandemia ka shkaktuar probleme të konsiderueshme në zhvillimin e procesit mësimorë në të gjitha komunitetet, si për komunitetin shumicë si për pakicat. E njëjta gjë vlen edhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, mirëpo pasojat e pandemisë në procesin mësimorë janë ndier ma shumë tek ato komunitete të cilat nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo për arsye se, zhvillimi i mësimit online dhe në distancë kërkon kushte teknologjike por edhe kushte më të mira në shtëpi, sepse nuk munden dy fëmijë në të njëjtën kohë me mbajt mësimin. Duhen dy dhoma ose duhen dy llaptop ose tablet. Domethënë mësimi online kërkon kushte të caktuara, përfshirë edhe internetin”.

“Këto kushte anësore t’i quajmë, komunitetet të cilat janë në kufi të varfërisë ose në gjendje jo të mirë ekonomike materiale, e kanë pasur më të vështirë që ta vijojnë mësimin. Prandaj mund të thuhet se, këtë gjë e kanë treguar edhe statistikat se ka pasur pjesëmarrje më të vogël të fëmijëve të komunitetit në mësimin online”, shprehet tutje Rexhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat