Rrëfimi mes lotësh i Qëndresës: Vajzat i kam të sëmura, s’kemi ushqim e as shtëpi

Lajme

Rrëfimi mes lotësh i Qëndresës: Vajzat i kam të sëmura, s’kemi ushqim e as shtëpi

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 13:31
Qëndresa Makolli

Lotët nuk mund t’i ndalte.

Jeta e saj po rëndohet edhe më shumë kur po sheh se si dy vajzat e saj po sëmuren nga të ftohtit që po mbizotëron brenda kësaj shtëpie.

Është kjo Qëndresa Makolli, e cila jeton në këtë shtëpi me qira e në të cilën muret janë të qara e të plasaritura.

Në këtë shtëpi, Qëndresa jeton me bashkëshortin dhe dy vajza, njëra katër vjeç e tjetra një vit e gjysmë.

Teksa rrëfen për problemet me të cilat po ballafaqohet, thotë se që katër muaj prej kur janë zhvendosur në këtë shtëpi më shumë ka kaluar kohë nëpër mjek, duke kërkuar ndihmë për shërimin e vajzave.

“Një shtëpi, shkurt e shqip një shtëpi të kishim pas tonën bile me ditë që është e jona, të dimë ku po rrimë se jo nesër a pasnesër me u shit me ardh me thonë dil lëshoma shpinë, nuk po dimë …..në këtë shpi jemi që katër muaj, prej që jam ardh çikat mirë kurrë asnjanës si kam pas veç nëpër mjek, në spital në pediatri kam nejt tri javë dit, njëherë me dyjat tash jam me këta të voglën t’u ballafaqu nëpër mjek, nëpër analiza”, rrëfen Qëndresa me lot në sy.

Thotë se pavarësisht që kanë kërkuar ndihmë në Komunën e Prishtinës, kjo e fundit nuk u ka bërë zgjidhje për banim, pos ndihmë dy herë me gjëra ushqimore.

“Kemi kërku ndihmë, por njëherë hala kërkush nuk është lajmëru…kemi kërku ndihmë të Halili, nëpër qeto shoqatat tjera që janë po jo njëherë hala kurgjo. Komuna na ka ndihmu me gjëra ushqimore dhe higjienike, Kryqi i Kuq  njëherë a dy edhe mo hiq kërkush, do shok të burrit nganjëherë do pampersa edhe do qumësht”, ka thënë ajo.

Por, jeta e saj bëhet edhe më e rëndë në momentin kur mendon që mund të mbesin edhe pa këtë shtëpi sado që e njëjta nuk i plotëson kushtet për të jetuar.

Thotë se edhe drunjtë të cilat u ka sjellë një shok i bashkëshortit nuk do t’i mjaftojnë për ta kaluar dimrin.

“Qetu jem, 100 euro e kemi muajin, edhe këtu sot për nesër jemi, nesër e shet thotë dil lëshoma ku me shku, nuk dimë mo ka me shku, me fëmijë të vogël valla nuk di”, rrëfen ajo.

Por, shtëpia nuk është breng vetëm për Qëndresën.

Të gjithë barrën për këtë e bartë mbi supe bashkëshorti i Qëndresës, Naimi.

Ai thotë se mund të ndodhë që një ditë pronari i kësaj shtëpie ta largojë nga aty së bashku me familje dhe të vetmen gjë që mund ta bëjnë është që të dalin në rrugë.

“Problemi kryesor është që me pas një kulm mbi kry, temën se jetoj me qira, punoj e kam rrogën 250 euro në muaj. Problemi kryesor është ta kisha pas një shtëpi temën se unë që katër vjet jetoj me qira, nesër, pasnesër thotë pronari i shtëpisë lëshoma shpinë, duhet me ja lëshu e me dy 135ikat e vogla duhna me dal në rrugë”, ka rrëfyer i zoti i shtëpisë.

Naimi thotë se ka bërë kërkesë edhe në komunën e Prishtinës e po ashtu edhe në Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjare, por nuk janë marrë parasysh.

“Vështirësi ka boll, ftoftë, vllagë në tana anët shpija, dy a tri vena pikë….kam kërkuar ndihmë prej komunës, nga komuna janë ardh dy herë na kanë vizitu me gjëra ushqimore. Halil Kastratit i kam bë apel me ardhë mem vizitu në çfarë gjendje jetoj, nuk ka qenë ai mem vizitu….Kam apliku edhe për social, ma kanë bë nuk je për social, i kam dokumentet krejt që i kam qu edhe nuk janë kanë as mem vizitu as kurgjo”, ka treguar ai.

E, për gjithë gjendjen e krijuar, kryefamiljari thotë se vetëm Zoti e di se çka do të ndodhë me ta.

“Këtij pronarit të shtëpisë si t’i vjen shanca me shit shtëpinë ai veç një javë ditë të kallxon para kohe, të thotë lshoma shtëpinë dhe t’i nuk ki qare pa ja lëshu …Pasha Zotin motra jem s’ki ku shkon veç duhet me kqyr najku tjetër se jo…esenca kryesore është që shtëpinë ta kishim pasë tonën, që mos me pasë telashe nesër a pasnesër me lëshu shpinë, veç ai nalt, veç Zoti e din”, ka thënë kryefamiljari.

Naimi e Qëndresa kanë vetëm një apel për ata që mund t’i ndihmojnë dhe luten që këtë ta bëjnë për dy vajzat e tyre, e jo për ata.

“Ju kisha bë apel atyre që kanë mundësi me na ndihmu së paku bile një shpi me na ndërtu, me pasë tonën haku i këtyre dy melaqeve të vogla qetu se zor. Jeta nëpër shpija të huja nuk po shkojka, boll jam provu që katër vjet qeshtu jam , baju poshtë-baju nalt”, ka thënë Qëndresa.

Qëndresa shpreson që dikush do t’u dalë në ndihmë në mënyrë që vajzat e tyre të kenë një jetë sikurse edhe fëmijët e tjerë.

Të gjithë vullnetmirët që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të lajmërohen në këtë numër të telefonit 044 342 624.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat