Berlini mbledhë në konferencë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Lajme

Berlini mbledhë në konferencë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 20:46
Foto ilustrim

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, nesër do të zhvillohet konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëdhënësja e zëvendës ministres së punëve të jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. 

Konferenca ka për qëllim të parapërgatitë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel në fillim të korrikut.​​

Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino, raporton deutschewelle. ​​​​

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia.

Një nga arritjet e deritanishme të procesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office). Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat