​Pilotët ushtarakë të 10 vendeve të NATO-së trajnohen në Maqedoninë e Veriut

Lajme

​Pilotët ushtarakë të 10 vendeve të NATO-së trajnohen në Maqedoninë e Veriut

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 13:26
Pamje nga takimi

Pilotët ushtarakë të 10 vendeve anëtare të NATO-së do të trajnohen në qendrën për helikopterë në Maqedoni, raporton KosovaPress.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, Radmilla Shekerinska, e cila shkroi në ‘Facebook’ se pjesë e këtij trajnimi do të jenë edhe pilotët e këtij vendi.

“Dhjetë aleatë të NATO-s, mes të cilëve edhe Maqedonia e Veriut, fillojnë një epokë të re në trajnimin e pilotëve ushtarakë. Krijojmë një rrjet të qendrave evropiane të trajnimit për pilotë të aeroplanëve, helikopterëve dhe dronëve luftarakë. Qendra jonë në Shkup do të sigurojë trajnim bazë dhe të përparuar për pilotët e helikopterëve”, ka shkruar Shekerinska.

Pjesë e këtij projekti janë edhe vendet tjera, si: Belgjika, Turqia, Mali i Zi, Greqia, Çekia, Hungaria, Italia, Rumania dhe Spanja, të cilat patën nënshkruar një memorandum mirëkuptimi.

Në një njoftim të NATO-së thuhet se “kjo iniciativë, e para e këtij lloji do të përfshijë ndërtimin gradual të një rrjeti të kampuseve evropiane për trajnim që përfshijnë aspekte dhe lloje të ndryshme trajnimi për avionët ushtarakë”.

“Ata do t’ju mundësojnë aleatëve akses në një gamë më të gjerë të mundësive të trajnimit përtej asaj që shumica e aleatëve mund të përballojnë vetë dhe me një kosto të vogël. Kampuset e NFTE-s do t’i sigurojnë ekuipazhit trajnim të nivelit të lartë, duke përfshirë përdorimin e realitetit virtual dhe teknologjisë së simulimit”, thuhet në këtë njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat