Dimri starton në muajin prill për zyrtarët e komunës së Graçanicës

Lajme

Dimri starton në muajin prill për zyrtarët e komunës së Graçanicës

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Një sërë shkeljes ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit bërë komunës së Graçanicës

Njëra ndër to është edhe ajo me furnizim me kripë e rërë për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit.

Zyrtarët komunalë të Graçanicës këtë furnizim ata e kanë bërë në muajin prill, jashtë sezonit dimëror. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar edhe shkelje tjera në kontrata publike të Komunës së Graçanicës.

“Te kontrata për ‘Pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe pastrime të ndryshme në Komunën e Graçanicës’, të bëra në muajin mars dhe prill në vlerë totale prej 294,390€ ishin faturuar dhe paguar me vonesë, nga të cilat 36,654€ ishin paguar në muajin gusht dhe 256,760€ në muajin dhjetor. Për furnizimet me krip dhe rërë në vlerë 62,020€ në ditarin ndërtimor nuk ishte evidentuar sasia e furnizuar, për ta arsyetuar sasinë e paguar. Për më tepër, kripa dhe rëra ishte pranuar në muajin prill, ndonëse nuk arsyetohet nevoja për furnizim për shkak të kalimit të sezonit të dimrit dhe përmirësimit të kushteve klimatike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas të njëjtit, te pagesa për “Shërbimet e Pastrimit dhe Higjienës Publike” në vlerë 16,544€, shërbimet për një pozicion nuk ishin realizuar (Lagja e Hashanëve) përderisa në raportin e menaxherit të kontratës vetëm ishte përshkruar që shërbimet e pastrimit nuk janë realizuar, por pa dhënë arsyet e mosrealizimit të shërbimeve.

“Situacioni i punimeve nuk ishte nënshkruar nga menaxheri i kontratës, por vetëm nga shërbimi financiar i kompanisë pastruese. Nuk na janë ofruar dëshmi të mbikëqyrjes dhe vizitave në teren nga mbikëqyrësi i kontratës, ndonëse me nenin 10 të Marrëveshjes kërkohet një gjë e tillë. Kompania kontraktuese për shërbimet e ofruara ka përfshirë në faturë përveç çmimit të dhënë në shtojcën D, edhe pjesën prej 8% në emër të TVSH-së, në vlerë 1,226€”, kagjetur Auditori. “Neni 14 i Marrëveshjes trajton pjesën e TVSH-së, por nuk e qartëson nëse kjo shtesë është pjesë përbërëse e çmimit të kontraktuar të dhënë në shtojcën D të Marrëveshjes, apo do të kalkulohet mbi çmimin e ofertuar, si vlerë shtesë. Sipas shpjegimeve të zyrtarëve të komunës, faturimi dhe pagesa me vonesë është shkak i mungesës së mjeteve buxhetore, ndërsa mangësitë në lidhje me pranimin e furnizimeve dhe shërbimeve janë rezultat i mangësive në mbikëqyrje të kontratave”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe nënshkrim kontratave përtej vlerës së parashikuar të buxhetit. Në raport thuhet se projekti “Rehabilitimi i lumenjve, mureve mbrojtëse, urave dhe rrugëve lokale të Komunës e Graçanicës” vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tri vite (2019, 2020, 2021) sipas tabelave të buxhetit (PIP) ishte 1,378,928€, ndërsa kontrata ishte lidhur në vitin 2019 me vlerë 2,996,324€ apo 1,617,396€ më lartë se vlera e parashikuar. Tutje thuhet se edhe me Ligjin e buxhetin 2020 nuk ishin destinuar mjete të mjaftueshme për realizimin e këtij projekti (për vitin 2020 janë paguar 465,378€).

“Projekti ‘Rindërtimi rehabilitimi dhe përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në territorin e Komunës se Graçanicës’, vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tri vite (2020, 2021, 2022) sipas tabelave të buxhetit (PIP) ishte 300,000€, ndërsa kontrata ishte lidhur në vitin 2020 me vlere 697,214€ apo 397,214€ më e lartë se vlera e parashikuar. Edhe me ligjin e buxhetit 2021 mjetet e destinuara nuk ishin të mjaftueshme për ta realizuar këtë projekt. Mangësitë e përmendura më lartë kanë ndodhur si pasojë e planifikimit jo të mirë të projekteve dhe në mungesë të një analize paraprake të mirëfilltë të kostove për këto projekte”.

Auditori ka vërejtur edhe certifikim për pagesë për lëndë jo të kompletuara dhe vonesë në pagesë të obligimeve. Siç thuhet në raport, në dy pagesa në vlerë totale prej 30,908€ për “shërbimet e pastrimit” sipas kontratës me kompaninë publike, në lëndën për pagesë mungonin faturat për shpenzimet e paguara. Në vend të faturës, sipas ZKA-së, kontraktuesi kishte dorëzuar vetëm specifikacionet për shërbimet e kryera/mirëmbajtjes/pastrimit të specifikuar në vlerë dhe sasi. Ndërsa, në lëndën për shërbime hoteliere në vlerë 1,410€, përveç faturës dhe kërkesave për pagesë mungonte raporti përcjellës lidhur me qëllimin, agjendën dhe zyrtarët që kanë shfrytëzuar shërbimet e hotelerisë.

“Po ashtu, në gjashtë pagesa kemi gjetur se obligimet financiare në vlerë totale 216,906€ ishin paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditëve me vonesa prej 30-115 ditë, ndërsa në 10 raste zotimi i mjeteve në SIMFK ishte bërë pas pranimit të faturës apo pranimit të mallrave apo shërbimeve. Shkaku përse ka ardhur deri kjo situatë, është kontrolli i brendshëm i pamjaftueshme në procesin e certifikimit të pagesave dhe zotimit të mjeteve në SIMFK”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka identifikuar se menaxhimi i automjeteve zyrtare të Komunës së Graçanicës është përcjell me disa parregullsi. Sipas të njëjtit, në nëntë raste është identifikuar se nuk aplikohen kërkesat nga punonjësit për shfrytëzim apo përdorim të automjetit zyrtar dhe aprovimet nga udhëheqësi përgjegjës. Gjithashtu mungonin kërkesat dhe aprovimet për përdorimin e automjeteve jashtë vendit, si dhe nuk ka evidenca për qëllimin e udhëtimit të tyre. Mbahet vetëm një regjistër mujor i udhëtimit ku evidentohet destinacioni i udhëtimit dhe evidenca e kilometrave, por jo edhe qëllimi i udhëtimit dhe nga kush është shfrytëzuar shërbimi i udhëtimit. Fletëudhëtimi mujor nënshkruhet nga vozitësi, por jo edhe nga zyrtarët që kërkojnë shërbime të transportit”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se nuk ka ndonjë vendim për caktimin e zyrtarëve që mund të bëjnë furnizimin me derivate dhe se furnizimi me derivate bëhej nga zyrtarë të ndryshëm, ndonëse me neni 11 të Udhëzimit është përcaktuar që me derivate mund të furnizohen vetëm personat e caktuar zyrtar (shefi i shërbimit të transportit).

“Nuk aplikohen kërkesat dhe aprovimet nga niveli përgjegjës për mirëmbajtjen (shefi i shërbimit të transportit) apo dërgimin e automjeteve në riparim. Shkak i kësaj është mungesa e kontrolleve adekuate në menaxhimin dhe shfrytëzimin e automjeteve zyrtare”.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, përdorimi i pakontrolluar i automjeteve ofron mundësinë që automjetet të përdoren edhe për qëllime jo zyrtarë dhe se mungesa e kontrollit për furnizim me derivate dhe riparim të veturave zyrtarëve mundësojnë shpenzime të pakontrolluar apo kosto të panevojshme për komunën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat