U akuzua se ka bashkëpunuar me Hashim Thaçin, flet Stefan Cvetkoviq, ja çfarë zbulon për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Lajme

U akuzua se ka bashkëpunuar me Hashim Thaçin, flet Stefan Cvetkoviq, ja çfarë zbulon për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 15:42
Stefan Cvetkoviq

"Jam kidnapuar më 14 qershor 2018 nga grupe të organizuara të krimit me pozita të larta shtetërore. Kam vuajtur shumë, unë, familjarët dhe shoqëria ime, për të vetmen arsye se kam kryer punën time me nder. Për të gjitha këto, nën akuzat se jam vrasës, paguhem nga shtete të ndryshme, kam bashkëpunuar me Hashim Thaçin e çka jo tjetër. Akuzat të cilat më janë mveshur, gjykata kompetente i pati hedhur si të pabaza dhe më pati shpallur të pafajshëm. Serbia është shteti i fundit komunist në rajon që duhet reformuar sa më parë".

Këto komente i bëri para pak ditësh gazetari Stefan Cvetkoviq nga Bela Crkva e Serbisë, gjatë një konference për media në Beograd.

Sipas tij, motivi u kidnapimit dhe maltretimeve të ndryshme ndaj tij është më i thellë dhe ka të bëjë me rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Gazetari Cvetkoviq potencon se përmes këtyre maltretimeve ndaj tij, dëshirohet t’u dërgohet mesazh gazetarëve tjerë që mos të merren me rastin e likuidimit të Ivanoviqit.

“Për mua tani janë të njohur tre persona, emrat e të cilëve i dijë, dhe dy prej të cilëve tashmë veç ndodhen në burg. Ata kanë lidhje të ngushta me grupe kriminale, e që ndërlidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Cvetkoviq.

Ai ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministren Bërnabiq dhe sekretaren e MUP-it, Dijana Hërkalloviq, për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe bashkëpunim me grupe kriminale.

Duke folur për peripetitë e ndryshme, ai theksoi edhe kufizimin e lëvizjes së lirë ndaj tij që i është bërë nga organet shtetërore, duke ia konfiskuar pasaportën dhe duke e kthyer nga kufiri dhjetëra herë, kur tentonte të udhëtonte jashtë Serbisë.

Cvetkoviq duke faktuar gjërat për të cilat i thotë, flet mes tjerash edhe për propagandën e shtetit të Serbisë përmes shumë mediave të tyre nga njëra anë, si dhe për rrezikun që iu kanoset gazetarëve të mediave të cilat nuk janë nën komandën shtetërore nga ana tjetër.

Ai pyet se kush janë personat si Andrej Vuçiq (vëllai i presidentit serb) dhe Millan Radoiçiq, për të cilët thotë se nuk kanë pozita, por janë të fuqishëm dhe me shumë ndikim në Serbi.

Cvetkoviq ka apeluar te organet kompetente shtetërore të Serbisë që të përgjigjen në pyetjet e tij rreth personave të cilët ai i ka përmendur, ndërsa ka ftuar publikun dhe mediat që t’i drejtohen për çfarëdo paqartësie ose detaje shtesë për të cilat kanë nevojë.

Ndryshe, gazetari Stefan Cvetkoviq është i njohur për publikun e gjerë në Serbi, për shkak të temave të cilat i ka trajtuar siç janë krimi, korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës, përdorimi i narkotikëve nga ana e funksionarëve të lartë, ka shkruar edhe për farmako mafinë në Serbi, ndërsa së fundi është marrë me hulumtimin e vrasjes së politikanit, Oliver Ivanoviq, me ç’rast në shkrimet e tij ka evidentuar të dyshuarit e vrasjes, për të cilët pati thënë se kanë paguar 40 mijë euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat