Çmimi i derivateve po bie, por çmimi i biletave jo

Lajme

Çmimi i derivateve po bie, por çmimi i biletave jo

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 15:41
Stacioni i autobusëve, Prishtinë

Rreth dy muaj më parë, çmimet e biletave të autobusëve transportues në disa qytete në Kosovë pësuan rritje, e arsye për këtë u dha rritja e çmimit të naftës. Tani që është paralajmëruar ulje e çmimeve të derivateve, njëjtë nuk pritet të ndodhë edhe me biletat e autobusëve.

Fadil Bërjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, në një prononcim tha se rënie të lehtë të çmimeve pritet të ketë nga java e ardhshme.

Siç bëri të ditur ai, deri në fundin e vitit, derivatet do të kthehen në çmimet e tyre paraprake.

“Rënie e lehtë do të jetë. Gjasat janë që të ketë stabilizim të tregut”, tha Bërjani duke shtuar se aktualisht çmimet e naftës në Kosovë variojnë ndërmjet 1.19 ose 1.20 euro nafta, benzina 1.23 deri në 1.30.

Theksoi se çmimet e derivateve përcaktohen nga BERZA dhe Organizata Prodhuese OPEC, e cila siç tha, ka filluar të ketë më shumë prodhim, duke bërë kështu të ketë zbritje të çmimeve.

Me arsyetimin se “ka ngritje të çmimit të derivateve dhe shpenzimeve tjera”, disa kompani të autobusëve në Kosovë rritën çmimet e biletave gjatë muajit tetor e nëntor.

Disa udhëtarë u njoftuan paraprakisht e ca të tjerë u zunë në befasi.

Drejtoresha e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj, Albulenë Çalaj, ka pohuar se disa kompani private kanë rritur çmimet e biletave, tha se ato mund të vendosin vetë lidhur me këtë çështje.

Sipas saj, stacioni nuk është përgjegjës dhe se nuk janë njoftuar paraprakisht nga kompanitë.

“Kompanitë private vendosin vetë për çmimet. Në stacion paguhet vetëm peronizimi, e që ne nuk kemi ngritur ende çmimin për person. Ne nuk jemi përgjegjës për këtë ngritje dhe nuk na kanë njoftuar kompanitë, pasi që është tregu i lirë”, tha Çalaj.

“Me siguri ngritja e derivateve i ka shtyrë ata që ta ndryshojnë çmimin e biletave. Po, ata janë kompani private. Te ne shërbehen vetëm me peronizim dhe paguajnë vetëm peronin”, shtoi ajo.

Por, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve mohon të ketë rritje të çmimeve.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, i pyetur nëse ulja e çmimeve të derivateve nënkupton edhe ulje të çmimeve të biletave të autobusëve, tha se “s’mund të ketë ulje, pasi s’ka pasur rritje”.

“Na s’kemi ngritur çmime, për t’i zbritur ato. Absolutisht s’ka pasur rritje. Ka mundësi të ketë pasur harmonizim, por janë çmime reale”, deklaroi Kurtishaj.

Rritja e çmimeve të derivateve tregon se në Kosovë nuk ka institucione relevante që rregullojnë konkurrencën e lirë, thotë njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Sipas tij, derivatet janë ato që e diktojnë ekonominë në vend, ndërsa institucionet rregullojnë konkurrencën e lirë.

Këto të fundit, Kadriaj thotë se nuk duhet të lejojnë rritje të paarsyeshme të çmimeve, “pasi në këtë mënyrë debalancohet ekonomia e tregut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat