Telekomi i Kosovës buzë greminës, i faturohen 13 milionë euro

Lajme

Telekomi i Kosovës buzë greminës, i faturohen 13 milionë euro

Nga: V.N Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 10:40
Posta e Kosoves

Njëri ndër institucionet më të fuqishme financiare në shtetin e Kosovës, po përballet me probleme të shumta. Për shumë vite ka qenë shtyllë e fortë për buxhetin e Kosovës, por në vitet e fundit është duke kaluar nëpër një situatë të stuhishme sa i përket aspektit financiar. Telekomit të Kosovës gjatë ditës së djeshme i është faturuar një pagesë që kap vlerën e 13 milionë eurove. Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i Telekomit të Kosovës. 

Reagimi pa ndërhyrje: 

"NJOFTIM PËR MEDIA NGA BORDI I DREJTORËVE DHE MENAXHMENTI I TELEKOMIT TË KOSOVËS

TELEKOMI I KOSOVËS PO PAGUAN FATURAT E POLITIKËS DHE GRUPEVE TË INTERESIT, NGA E KALUARA

Telekomit të Kosovës Sh.A., mbrëmë pas orës 16, i erdhi edhe një "faturë" shumëmilionëshe (rreth 13 milionë euro), për të paguar, pas asaj të cilën e kishte pranuar në vitin 2016 për një shumë prej 39 milionë eurosh, e cila e pati tronditur nga themelet kompaninë dikur më të suksesshme në vend.

Në gjendjen e krijuar, do të vazhdojmë të angazhohemi që "faturat" e politikës dhe grupeve të interesit jashtë dhe brenda Telekomit të Kosovës Sh.A., të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit, që nga zanafilla e tyre, duke përmbyllur kështu një epokë kur pjesë të krimit të organizuar dhe të politikës në bashkëveprim po e rrënonin pronën publike dhe në veçanti kompanitë publike, në një përpjekje të përvetësimit të saj/tyre.

Këto borxhe (dhe ato ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera publike), pasojë e një politike dhe një menaxhimi të kaluar, për të cilat askush deri sot nuk dha përgjegjësi, rrezikojnë të përmbytin përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëhen për të rimëkëmbur këtë kompani, e cila ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Rimëkëmbja dhe ruajtja e Telekomit të Kosovës me një qasje krejtësisht tjetër ndaj pronës publike, ndaj qytetarit dhe konsumatorit dhe vënia jonë në shërbim të publikut/ konsumatorëve 24/7, është në interesin më të mirë publik dhe njëkohësisht një obligim ligjor e moral, e profesional.

Një strategji e grupeve të interesit, e formësuar në një kontratë publikisht të dyshuar dhe të denoncuar si korruptive, e kishte degraduar Telekomin e Kosovës Sh.A. nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve. Por, Telekomi aktualisht po ndërton një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani.

Vendimi i Arbitrazhit ICC No. 24841, përkundër faktit pozitiv se konstaton që kontrata me Z- mobile konsiderohet e përfunduar me 30 korrik 2019 dhe ka refuzuar shumicën e kërkesave të Z-Mobile, megjithatë nuk është në linjë me pritjet e Telekomit të Kosovës Sh.A. dhe sipas vlerësimeve paraprake nuk është as në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme. Përpos që nuk sjell drejtësi për sa i përket raportit tashmë të përfunduar kontraktual me Z-Mobile, ku Telekomi ka arritur të dëshmojë humbje të akumuluara qindra milionëshe, i njëjti nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore.

Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullte dhe Telekomi i Kosovës Sh.A. do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin. Ekspertët tonë ligjor janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente", shkruhet në komunikatën e lëshuar nga bordi i drejtorëve të Telekomit. 
 

Image
Komunikata

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat