Shqiptarët e Luginës, të ndarë në zgjedhjet e Serbisë

Lajme

Shqiptarët e Luginës, të ndarë në zgjedhjet e Serbisë

Më: 14 mars 2022 Në ora: 17:33
Flamuri shqiptar - Fotografi ilustruese.

Të ndarë dhe të pakoordinuar, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen më 3 prill.

Partitë shqiptare do të garojnë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare - me gjithsej 20 kandidatë.

Për shkak të dallimeve politike, ato thonë se nuk kanë arritur të merren vesh për një listë të përbashkët, ashtu sikurse në zgjedhjet e vitit 2020, kur shqiptarët e Luginës janë bashkuar për herë të parë dhe kanë fituar tri ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar, bartës të listës e ka deputetin aktual, Shaip Kamberi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se lista që udhëheq ai, përbëhet nga tri parti shqiptare dhe se ka dhjetë kandidatë.

Kamberi, i cili disa herë ka dalë në qendër të vëmendjes për fjalimet përpara Kuvendit të Serbisë, thotë se synon të vazhdojë trysninë mbi autoritetet e Serbisë për, siç shprehet, përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë.

Luginën e banuar me shqiptarë, që ndodhet në jug të Serbisë, e përbëjnë: Medvegja, Presheva dhe Bujanoci.

Shqiptarët atje ankohen, tash e sa kohë, për pasivizim të adresave të tyre dhe mosrespektim të të drejtave nga zyrtarët.

Në një fjalim para Kuvendit të Serbisë në vitin 2020, Kamberi ka kritikuar pjesëmarrjen e ulët të pakicave në organin ligjvënës, duke thënë se në mesin e 250 deputetëve, vetëm gjashtë janë nga komunitetet pakicë.

“Një Kuvend të tillë nuk do të mund ta prodhonte as [ish-presidenti serb] Sllobodan Millosheviq”, ka thënë atëbotë Kamberi.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi thotë se, si përfaqësues i shqiptarëve të Luginës, ai ka arritur t’i tregojë problemet me të cilat ballafaqohen ata.

“Qeveria autokratike e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk ka treguar vullnet në asnjë moment që të ulet me ne dhe të diskutojë për këto probleme. Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtën trysni të paraqitjes së problemeve”, thotë Kamberi.

Ai shton se me listën e tij synon të fitojë së paku dy ulëse në zgjedhjet e prillit.

Në listën e udhëhequr nga ai bëjnë pjesë: Partia për Veprim Demokratik (PVD), Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD).

Lista tjetër shqiptare që synon Kuvendin e Serbisë

Lista tjetër, Alternativa Demokratike Shqiptare, udhëhiqet nga Shqipërim Arifi dhe ka po ashtu dhjetë kandidatë.

“Këtë herë, për shkak se shqiptarët garojnë jo të bashkuar, mendoj se lista jonë mund të fitojë të paktën një deputet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arbër Pajaziti, i cili kryeson partinë Alternativa për Ndryshim në Bujanoc - pjesë e listës së Arifit.

Numri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë, e rrjedhimisht as i votuesve, pasi ata kanë refuzuar regjistrimin e popullsisë që nga viti 2001.

Por, në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë të regjistruar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Prej tyre, sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike nga Lugina e Preshevës, rreth 20,000 qytetarë kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.

Pa strategji për një listë të përbashkët shqiptare

Në përbërjen e deritashme të Kuvendit të Serbisë kanë qenë tre deputetë shqiptarë, të cilët kanë fituar mandatin, pasi kanë garuar me një listë të përbashkët, të formuar me iniciativën e Qeverisë së Shqipërisë.

Belgzim Kamberi, nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, thotë se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e prillit në Serbi, është shumë e rëndësishme, sidomos pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Zyrtarë të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se lufta në Ukrainë mund të ketë ndikim edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Pjesëmarrja shqiptare është e rëndësishme, pasi që vetëm kështu mund të paraqiten problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet qendrore... edhe pse kjo është shumë e vështirë me këtë Serbi, që është e ndërtuar pa asnjë lloj diskriminimi pozitiv për përfaqësimin e pakicave në Kuvend dhe në Qeveri”, thotë Kamberi.

Qeveria pa përgjigje për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Në Kosovë, nuk është ende e qartë nëse do të mbahen zgjedhjet e Serbisë.

Më 16 janar, Serbia ka mbajtur një referendum për çështje të gjyqësorit dhe Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Qeveria ka thënë atëbotë se qytetarët serbë, që kanë shtetësi të Serbisë, mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe ka paralajmëruar praktikë të ngjashme dhe për zgjedhjet e prillit.

Megjithatë, Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet - Lëvizjes Vetëvendosje, tha të hënën se Kosova do ta shqyrtojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të lejojë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë.

Një thirrje të tillë e ka përsëritur edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Berbock, javën e kaluar në Prishtinë, duke thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka mbajtur edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit, 2020.

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus (D+), thotë se Kosova ka lejuar deri më tash mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, për shkak të kërkesave të ndërkombëtarëve.

Sipas tij, nëse Kosova ka vullnet për lejimin e këtyre zgjedhjeve, do të duhej të bëhej një marrëveshje mes dy vendeve, përmes së cilës, Serbia do të deklaronte se votuesit që votojnë në Kosovë, konsiderohen si votues jashtë Serbisë.

“Në këtë marrëveshje, në mënyrë shumë të qartë do të precizohej se Serbia i konsideron zgjedhjet serbe në Kosovë si zgjedhje jashtë vendit... Kjo do të ishte mënyra e vetme, sipas së cilës, Kosova do të mund të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj”, thotë Krasniqi.

Serbia, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, ka mbajtur disa palë zgjedhje në Kosovë.

OSBE-ja, me vite, ka grumbulluar votat pas mbylljes së qendrave të votimit, të cilat më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë - dy qytete kufitare të Serbisë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat