Serbia e luan “viktimën” në KS: Aksionet e policisë në Kosovë po frikësojnë serbët

Lajme

Serbia e luan “viktimën” në KS: Aksionet e policisë në Kosovë po frikësojnë serbët

Më: 20 prill 2022 Në ora: 22:11
Nikolla Selakoviq

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën.

Në fjalën e tij, Selakoviq ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po vështirëson jetesën e qytetarëve serbë në Kosovë, duke përmendur këtu edhe pamundësimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se me këto veprime, institucionet në Kosovë kanë treguar edhe një herë diskriminim ndaj qytetarëve të etnisë serbe.

Selakoviq ka përmendur edhe aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke ekzagjeruar aksionin e policisë dhe duke akuzuar institucionet e Kosovës se po i frikësojnë qytetarët serbë.

“Policia speciale ka zbarkuar me automjete të blinduara duke konfiskuar targa në veri të vendit, por që qëllimi shihet se ka qenë frikësimi i qytetarëve serbë në Kosovë. Normalisht, reagimi i qytetarëve ka qenë i revoltuar. Ka pasur rast kur edhe një qytetar është plagosur me plumb në shpinë”, ka thënë Selakoviq.

Ai ka përmendur edhe arrestimin e disa zyrtarëve në Komunën e Shtërpcës, përfshirë edhe ish-kryetarin e kësaj komune, lidhur me dyshimet për marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“Kjo po përçon mesazhe të qarta tek qytetarët që bazohen në urrejtje e frikë, siç është pamundësimi i votës, gjë që mund të ndikojë që serbët të zhduken fare nga Kosova”, ka deklaruar ai.

Selakoviq ka thënë se ka dorëzuar edhe një dokument në Këshillin e Sigurimit ku ka përmendur “incidentet” në Kosovë që po ndikojnë në jetët e qytetarëve serbë atje, duke vazhduar kështu që të luajë rolin e viktimës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat