Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në Kuvendin e Malit të Zi, Luigj Shkrela, ka thënë se qeveria e Zdravko Krivokapiqit u rrëzua dhe erdhi kjo e Dritan Abazoviqit, për shkak se doli nga rruga për integrim euroatlantik.
“Edhe sot vazhdon ajo çka ka ndodhur dje, një respekt i posaçëm për rrjedhat politike në Mal të Zi të cilat qysh në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020 nuk shkuan në drejtimin që kemi pasë deri atëherë – rrjedhën euro-atlantike ku Mali i Zi ka qenë shembull për Ballkan dhe më gjerë – dhe kjo ka rezultuar me mocionin e mosbesimit për qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, pjesë e së cilës ka qenë edhe Dritan Abazoviqi, e cila ka qenë një qeveri shoviniste e politikës serbe”.
“Partia Demokratike e Socialistëve, të cilës i përkas edhe unë, në krye me Milo Gjukanoviq menjëherë pas zgjedhjeve të 2020-ës ka sqaruar që nuk kemi arritur shumicën për të formuar qeverinë”.
Shkrela ka folur edhe për padinë që është paralajmëruar nga qeveria e deritanishme e Malit të Zi të cilët konsiderojnë se qeveria e re në krye me Dritan Abazoviqin u votua jashtëligjshëm duke thënë se “gjithçka që nuk është prodhim i politikës nacionaliste serbe nuk është e ligjshme”.
Ai, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, tha se subjekti i tij politik që drejtohet nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka luajtur rol kyç për zgjedhjen e shqiptarit Dritan Abazoviq si kryeministër të Malit të Zi.
“Lëvizja qytetare ‘URA’ që e udhëheq Dritan Abazoviqi me katër deputetë nuk mund ta merrte mandatin për të qenë kryeministër. Mandatin për kryeministër ia ka dhënë Milo Gjukanoviq, siç i takon sipas Kushtetutës si kryetar i shtetit, me përkrahjen e parezervë të 30 deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve”.