Beogradi nxit tensione: Njerëzit e Albin Kurtit po stërviten në Bajram Curri për të luftuar me ne!

Lajme

Beogradi nxit tensione: Njerëzit e Albin Kurtit po stërviten në Bajram Curri për të luftuar me ne!

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 16:17
Aleksandar Vulin dhe Aleksandër Vuçiq

Mediat serbe kanë rinisur avazin e njohur që prej luftës së Kosovës, duke nxitur tensione dhe trazira përmes trillimeve.

Një nga mediat që njihen si instrument i shërbimit sekret serb BIA, tabloidi “ALO” ka publikuar në faqe të parë një shkrim me titull: “Turqit po stërvitin banditët e Kurtit në Shqipërinë e Veriut”.

Teksti vijon më poshtë me pallavra pa fund, sipas të cilave: “Në bunkerët ku vranë serbët dhe ju hoqën organet, tani shqiptarët po stërviten nga ushtria turke për të luftuar me Serbinë”.

Gazeta serbe vijon në shkrimin e saj se “ish-tunelet dhe bunkerët në Bajram Curri janë shndërruar në objekte moderne që janë të pajisura me pajisje moderne ushtarake dhe IT, si dhe një spital ku qëndrojnë oficerë turq dhe kosovarë”.

Sikur ta kishte bërë vetëm karikatura mediatike e shërbimit sekret serb, situata mund të ishte marrë si pjesë e mënyrës së tyre të veprimit. Por këtë gomarllëk e ka përsëritur edhe njeriu më i rëndësishëm i Aleksandër Vuçiçit në Parlamentin e Serbisë.

Bëhet fjalë për kryetarin e Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Milovan Dreçun, i cili në një deklaratë publike akuzoi Tiranën Zyrtare se po stërvit “paramilitarë të Kosovës”.

“Në zonën e Bajram Currit që prej muajit maj, instruktorët turq kanë trajnuar pjesëtarët e të ashtuquajturve Forcave të Sigurisë së Kosovës. Bëhet fjalë për të njëjtët instruktorë që kanë qenë në ato territoreve gjatë viteve 1998 dhe 1999. Kazermat e vjetra të UÇK-së janë rihapur, rinovuar dhe përshtatur”, tha Drecun.

Sipas tij, Shqipëria, edhe pse asnjëherë nuk e pranoi zyrtarisht, i dha ndihmë ushtarake UÇK-së. Ai shtoi se “dihet që autoritetet shqiptare të asaj kohe nxorën armë dhe municione të mëdha nga objektet e tyre ushtarake dhe se të gjitha këto iu dhanë separatistëve shqiptarë”.

Fantazia e njeriut besnik të Vuçiçit shkon dhe më tej, ku përcakton edhe lokacionin e “vendit të stërvitjes”, që sipas Dreçun, është në galeritë e minierës së Devës.

“Në ato objekte, serbët, romët dhe shqiptarët tradhtarë u burgosën dhe u torturuan ilegalisht. Më të shëndetshmit dhe më të fortët iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë të cilave të burgosurve iu hoqën organet e brendshme, të cilat më pas përfundonin në tregun e zi”, thekson Drecun.

Pikërisht kjo retorikë po bëhet për të mbushur tregun mediatik me idiotizma të tilla, ku në mos njëra, tjetra vendoset në një titull. E duket se nuk është krejt e izoluar kjo lojë, por e koordinuar në Moskë, siç ka qenë gjithë jetën.

E pikërisht sot, në një deklaratë të dytë, numri dy i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ka deklaruar se Kosova është pranë konfliktit të armatosur.

Siç bën të ditur “B92”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zaharova ka deklaruar: “Një skenar ushtarak në Kosovë mund të ketë pasoja katastrofike dhe për këtë arsye Moska mbështet vullnetin e Beogradit për të gjetur një zgjidhje paqësore. Ne mbështesim me gjithë zemër përkushtimin e Beogradit për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Zaharova shtoi se çështja e Kosovës nuk zgjidhet me dialog, ngaqë Perëndimi po e nxit Prishtinën në veprime brutale, ku në fakt çështjet brutale deri tani i ka bërë edhe Beogradi. Siç Aleksandër Vuçiç që ka dekoruar policët e larguar të Mitrovicës së Veriut, të cilët siç kanë qenë para pavarësisë, janë kthyer të bëhen rojet e urës së Ibrit. Por kësaj here jo të paguar nga buxheti i Kosovës… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat