Media serbe: Takimi në Bruksel mes Vuçiç dhe Kurtit, të dielen mbrëma ose mëngjesin e së hënës

Lajme

Media serbe: Takimi në Bruksel mes Vuçiç dhe Kurtit, të dielen mbrëma ose mëngjesin e së hënës

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 16:06
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Media e afërt me qeverinë serbe “Novosti” raportoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar ftesën e Brukselit për takim të Nivelit të Lartë në dialog me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Siç pretendon të ketë mësuar ky medium, takimi Kurti-Vuçiç do të mbahet ose të dielen mbrëma ose mëngjesin e së hënës, derisa qëllimi i takimit thuhet të jetë çështja e targave të paligjshme serbe “KM, etj”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut që ndërmjetëson blloku evropian.

Ai nuk ka dhënë ndonjë datë, por ka thënë se takimi duhet të ndodhë “shumë, shumë shpejt” dhe se qëllimi i takimit është “për të gjetur një zgjidhje evropiane”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka dashur të komentojë raportimet e mediave në rajon se “është arritur një zgjidhje tashmë” por vetëm ka thënë se “takimet mes zyrtarëve të BE-së dhe përfaqësuesve të palëve janë të vazhdueshme”.

Zhvillimin e negociatave e ka konfirmuar edhe Kurti më 18 nëntor.

Ai ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat