Televizioni i Beogradit: Serbët në veri të detyruar të dalin në barrikada

Lajme

Televizioni i Beogradit: Serbët në veri të detyruar të dalin në barrikada

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

Askush nuk është duke punuar në komunat veriore të Kosovës– as shkollat, as institucionet e as hotelieria. Të gjithë të punësuarit e kanë obligim pune të jenë në barrikadat që kanë bllokuar rrugët kufitare me Serbinë, ka raportuar të martën mediumi serb “N1” nga vendi i ngjarjes.

Rudari në Zveçan është fshati që është mbushur me kamionë, të cilët kanë bllokuar rrugën. Si pasojë e barrikadimit, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë. Sipas raportimit, janë 100-200 serbë po qëndrojnë nëpër barrikada gjatë ditës. Pamjet e shfaqura nga ky medium tregojnë dhjetëra vetura të parkuara skaj rrugës, e burra dhe gra që qëndrojnë në këmbë.

Të mërkurën nuk janë regjistruar incidente, ndërsa të barrikaduarit, sipas raportimit, janë “të shqetësuar” se kur dhe nëse Policia e Kosovës do ta nisë heqjen e barrikadave.

Njerëzit “janë të shqetësuar për listën e famshme” që e ka Policia e Kosovës, që thuhet se përmban listën e njerëzve të kërkuar për arrestim. Askush s’e ka të konfirmuar se kjo listë ekziston, por se kjo vetëm flitet mes njerëzve, shkruan Ballkani.info

Në mesin e të barrikaduarve askush nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë.

Barrikadat në veri këtë herë janë vënë pas arrestimit të një ish-polici serb, që dyshohet se ka kryer sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e kaluar, në përpjekjet për të shkuar në zyrat e tyre në komunat veriore, në përgatitje për zgjedhjet që janë paraparë për 18 dhjetor, e që më pas është vendosur të shtyheshin për shkak të tensioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat