Ri-integrimi i të kthyerve nga Siria e Iraku, mbetet sfidë për Kosovën

Lajme

Ri-integrimi i të kthyerve nga Siria e Iraku, mbetet sfidë për Kosovën

Më: 19 dhjetor 2022 Në ora: 09:40
Te kthyerit nga Siria

Kosova është një ndër vendet që ka kthyer nga zonat e konfliktit një numër të qytetarëve të saj dhe tani po përballet me sfidën e ri-integrimit, sidomos të grave dhe ish luftëtarëve të grupit terrorist Shteti Islamik. Për mungesë të buxhetit, qeveria ka vendosur që çështjen e ri-integrimit ta bartë në nivel lokal.

Në prill të vitit 2019 Kosova riatdhesoi 110 qytetarë, përfshirë burra, gra e fëmijë, duke u bërë një nga vendet e pakta që kanë riatdhesuar shtetasit e tyre të përfshirë në luftën e grupit terrorist Shteti Islamik në Siri e Irak.

Zyrtarët e përfshirë në procesin e ri-integrimit të tyre flasin  për një çështjes komplekse të menaxhimit të kthimit të tyre.

Sipas një programi rehabilitimi dhe ri-integrimi të qeverisë, të kthyerit marrin këshillim në prindërim, ushqim, strehim dhe ndihmë për të gjetur punë.

Shkurta Krasniqi, nga Divizioni për Parandalim dhe Ri-integrim të Personave të Radikalizuar të Ministrisë së Brendshme, tregon se për mungesë të  buxhetit, çështja e ri-integrimit do të bartet në nivel lokal.

“Tanimë veçse kemi filluar me decentralizimin e procesit. Kemi filluar me Komunën e Hanit të Elezit”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se një prej sfidave aktualisht është aftësimi për punësim.

“Një kërkesë shumë e madhe nga gratë e kthyera ka qenë që të ndjekin një trajnim bazik për rrobaqepësi. Ato janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme që ato të fillojnë punën”, tha ajo.

Fitim Flugaj, teolog nga Bashkësia Islame e Kosovës, thotë se po përpiqen t’iu ndihmojnë institucioneve për deradikalizmin e tyre.

“BIK është kategorik në luftën kundër çdo radikalizmi. Bashkësia Islame thirret në parimin” Parandalimi është ilaçi më i mirë, është shërimi më i mirë”, tha ai.

Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, që kanë refuzuar t’i kthejnë qytetarët e tyre në shtëpi nga Siria, ose kanë hequr shtetësinë e tyre, Qeveria e Kosovës tashmë po zbaton një plan për të riatdhesuar edhe qytetarët e saj të tjerë që ndodhen në kampet në veri të Sirisë të kontrolluara nga forcat kurde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat