Vuçiq mohon masakrën dhe u reagon ndërkombëtarëve që shkuan në Reçak të dielën

Lajme

Vuçiq mohon masakrën dhe u reagon ndërkombëtarëve që shkuan në Reçak të dielën

Më: 17 janar 2023 Në ora: 13:41
Vuçiq u mor me tubimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut ku ishin edhe disa diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një paraqitje televizive mbrëmë në Serbi ka folur për “rastet e sulmeve  ndaj serbëve”,  përfshirë edhe atë që ndodhi në Shtërpcë për Krishtilindjet Orotodokse. Ai ka akuzuar të gjithë ndërkombëtarët që reaguan në lidhje me rastin por që sipas tij nuk e potencuan qëllimshëm që bëhet fjalë dy serbë, por për dy qytetarë të Kosovës.

Tutje Vuçiq u mor me tubimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut ku ishin edhe disa diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Ai tha se aty ishte edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier, i cili këtë vit Masakrën e Reçakut e përkujtoi me fjalimin e vitit të kaluar dhe nuk ishte fizikisht aty.

Vuçiq e mohoi përsëri Masakrën e Reçakut ku forcat serbe kishin ekzekutuar 45 civilë, duke thënë se ajo është kontestuese.

“Shikoni cfarë ndodhi dje, të gjithë nga Hovenieri, Wigemark, të gjithë, zyra e BE’së EULEX, Zyra e OKB’së të gjithë morën pjesë në komemoracionin në Reçak në diçka që është absolutisht kontestuese nga aspekti juridik i ngjarjes që ka ndodhur. Unë jam njeri prej tyre që ka folur vazhdimisht për këtë dhe e kam kundërshtuar narrativin e shqiptarëve dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare që kërcënoni që secili që thotë diçka ndryshe do të dënohet”, ka thënë Vuçiq.

Tutje ai ka thënë se këtë e mendojnë të gjithë serbët edhe disa politikanë, që sipas tij frikësohen ta thonë publikisht.

Presidenti serb e ka përmendur edhe rastin e ish -Ministrit të Listës Srpska që është dënuar për shkak të mohimit të Masakrës së Recakut.

“Ivan Todosijevic është dënuar me 2 vjet, më pas është hedhur poshtë aktgjykimi, pastaj shkalla e dytë, pastaj dënimi u bë 1 vit dhe tash nuk e dinë se cfarë do të bjënë. Pse e gjithë kjo, për shkak të deliktit verbal, për atë se ai mendon diçka që mendojmë të gjithë ne, por që shumica e politikanë frikësohet ta thotë këtë për të mos e ofenduar dikë nga ambasadat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat