Tensione e protesta për Kosovën e Rusinë në Serbi, Vuçiqi kërcënohet me vdekje

Lajme

Tensione e protesta për Kosovën e Rusinë në Serbi, Vuçiqi kërcënohet me vdekje

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 09:58
Aleksander Vuçiq

Disa aktivistë pro-rusë në Serbi iu bashkuar protestuesve nacionalistë në Beograd këtë javë, në shenjën më të re të rritjes së ndikimit rus, raporton televizioni BBC.

Duke brohoritur “jo dorëzim” e “tradhti”, ata kërcënuan se do të bëjnë kryengritje, nëse Serbia e përkrah planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i kritikoi protestuesit, duke i quajtur “anti-serbë”. Qeveria serbe tha se nuk beson që Moska i ka nxitur këto protesta, por lufta në Ukrainë i ka ngritur tensionet në Beograd.

Vuçiqi është kërcënuar me vdekje, nëse nënshkruan ndonjë marrëveshje për Kosovën dhe tre persona janë akuzuar për shkak të thirrjeve për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë.

Në mesin e tyre është udhëheqësi i së djathtës ekstreme, Damjan Knezeviq, i cili i ka organizuar protestat. Ai e ka përkrahur publikisht grupin rus të mercenarëve, “Wagner”, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ai së fundi është fotografuar duke e vizituar selinë qendrore të këtij grupi në Shën Petersburg të Rusisë. Një burrë tjetër është arrestuar, pasi është parë me snajper në protestë.

Vuçiqi i ka akuzuar organizatorët e protestave se paguhen me të holla nga vendet e huaja, duke u zotuar se Serbia kurrë nuk do të mposhtet nga gënjeshtrat, kërcënimet e disa armë. “Nuk kam nevojë që dikush nga “Wagner”-i të m’i rrahë krahët dhe të më tregojë se çfarë mund të bëj e 1farë jo”- tha ai.

Ambasadori rus në Serbi i ka dënuar kërcënimet ndaj presidentit serb. Megjithatë, gati një vit pas fillimit të luftës në Ukrainë, është e qartë se Serbia është duke pasur vështirësi për t’i mbajtur marrëdhëniet me Moskën, përderisa po i afrohet BE-së.

Do të bëja gjithçka për nënë Serbinë dhe nënë Rusinë. Ato janë e njëjta gjë”- tha Vlado Staniqi, i cili kishte veshur një rrobë me fytyrën e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe me fjalët e tij të njohura për pushtimin, “gjithçka është duke shkuar sipas planit”.

Çedomir Stojkoviqi, i cili është njëri ndër zërat kryesorë kundër ndikimit rus në Serbi, paralajmëron se vendi i tij është nën “pushtim hibrid”, i cili ka rezultuar në përkrahjen e gjerë që Rusia tash e gëzon.

“Për 15 vjet, Rusia ka kryer një operacion shumë të madh në Serbi. Shërbimi i tyre i inteligjencës është këtu në nivel masiv. Ata fusin para këtu, duke blerë medie e redaktorë të lajmeve”- tha Stojkoviqi.

Shumë njerëz në Serbi nuk e falin NATO-n për sulmet ajrore të vitit 1999 kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit. Ato sulme i kishin dhënë fund spastrimit brutal etnik të shqiptarëve në Kosovë, raporton televizioni britanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat