Kongresistja Grace Meng i bashkohet Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan

Lajme

Kongresistja Grace Meng i bashkohet Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan

Më: 23 mars 2023 Në ora: 10:02
Kongresistja Grace Meng

Kongresistja demokrate Grace Meng deklaroi se ajo do t’i bashkohet Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan.

“Jam krenare të njoftoj se do t’i bashkohem Kaukusit dypartiak të Çështjeve Shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi ajo, pas një takimi me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, në Nju Jork.

Meng tha se në të ardhmen ajo do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe se shqetësimet e preokupimet e tyre do t’i adresojë në Kongres dhe në institucionet tjera amerikane.

“Do të vijoj të ndjek zhvillimet në Ballkan dhe dëshiroj të ndërtoj marrëdhënie më të forta me komunitetin shqiptar, në distriktin tim dhe më gjerë, në mbarë Nju Jorkun,” u shpreh ajo.

Kongresistja Meng e vlerësoi me shumë interes takimin dhe bisedën me Bajramin.

“Pata kënaqësinë të takoja Vehbi Bajrami, botues i gazetës ‘Illyria’, një udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe avokat i hershëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, deklaroi ajo.

Botuesi i gazetës “IIlyria”, Vehbi Bajrami, ndër të tjera, e njoftoi kongresisten Meng me situatën dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut, duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, që ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga politikat që paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë e në rajon.

Bajrami tërhoqi vërejtjen se një asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë me fuqi ekzekutive do të ishte instrument destabilizues në Kosovë dhe kërkoi që për shqiptarët në Serbi të sigurohen të drejta të barabarta me ato të serbëve në Kosovë. Ai ia dorëzoi kongresistes

Meng dhe stafit të saj një promemorie për problemet kryesore me të cilat përballen aktualisht Kosova dhe shqiptarët në rajon.

Bajrami i kërkoi kongresistes Meng të lobojë në Kongres për rritjen e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai theksoi se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë.

Grace Meng është kongresistja e parë aziatiko-amerikane në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo është anëtare e Komitetit të Përcaktimeve dhe e Nënkomitetit për Operacione dhe Programe të Jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat