Cila është rëndësia e namazit? Përgjigjet hoxha, Bexhet Dernjani

Lajme

Cila është rëndësia e namazit? Përgjigjet hoxha, Bexhet Dernjani

Më: 8 prill 2023 Në ora: 15:48
Bexhet Dernjani

Hoxhë, Bexhet Dernjani, ka folur për rëndësinë e namazit në Islam.

Ai në emisionin “Fanari” ka thënë se puna e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit do të jetë namazi.

“Rëndësia e namazit është shumë e madhe në Islam, për arsye Pejgamberi jonë a.s. thotë që puna jonë e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi. Në qoftë se namazin e ka në rregull, të gjitha punët e tjera do t’i ketë në rregull, e në qoftë se nuk e ka namazin në rregull, të gjitha punët tjera do t’i shkojnë më vështirë”, ka thënë Dernjani.

Më tej imami Dernjani ka treguar për hadithin, të cilin e ka cilësuar kërcënues, ku tregon dallimin e myslimanit i cili fal namazin dhe ai që nuk e fal, e që ky i fundit cilësohet se nuk është prej besimtarëve.

“Rëndësia e namazit, Zoti na e cek në Kur’an dhe thotë që kujdesuni për namazin apo për namazet dhe kujdesuni për namazin e mesëm. Gjithashtu, është një hadith, i cili është edhe pak kërcënues për ata të cilët nuk e falin namazin, ku thotë Muhammedi a.s. dallimi ndërmjet myslimanit dhe jo myslimanit është namazi, e në qoftë se ai nuk e fal ai nuk është prej besimtarëve”, ka thënë Dernjani.

Ai ka cituar Pejgamberin Muhammed a.s., ku thotë se besimtari që i fal pesë kohë namaz është vazhdimisht në kontakt me Zotin dhe pastrohet nga mëkatet e tij.

“Muhammedi a.s. mbi vlerën e namazit ka thënë shembulli i atij që fal namaz është shembulli i një njeriu, i cili e ka një lum para tij dhe ai në qoftë se pastrohet pesë herë në ditë, a mund të ketë ndonjë njollë, ndonjë papastërti në trupin e tij? Janë përgjigjur normal që jo. Atëherë ka thënë Muhammadi a.s., njëjtë edhe me atë që i fal pesë kohë namaz vazhdimit ai është në kontakt me Zotin dhe pastrohet nga mëkatet e tij”, ka thënë Dernjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat