​Në shënimin e Ditëve të Tokës theksohen sfidat mjedisore

Lajme

​Në shënimin e Ditëve të Tokës theksohen sfidat mjedisore

Më: 28 prill 2023 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se mbrojtja e tokës dhe mjedisit është mbrojtje e shëndetit, jetës dhe mirëqenies në tokë. 

Në shënimin e Ditëve të Tokës, ajo ka thënë menaxhimi i mbeturinave është garanca për tu përballur me sfidat mjedisore.

Me qëllim të promovimit të mjedisit pa mbeturina, është prezantuar një strukturë e pa përfunduar e lojërave, e cila është krijuar duke ricikluar e rindërtuar njësitë njëpërdorimshe plastike.

Osmani ka thënë se sfidat më të mëdha mjedisore janë ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, trajtimi i mbeturinave, shpyllëzimi dhe ndotja e ujit.

Osmani: Menaxhimi i mbeturinave është garanca jonë për tu përballur me sfidat mjedisore

Ashtu siç nuk njohin kufi ndryshimet klimatike, po ashtu shtrihen përtej kufijve edhe efektet e pothuajse secilit problem tjetër mjedisor. Një gjë duhet ta kemi të qartë, në trajtimin e këtyre çështjeve, qasja individuale nuk mjafton. Na duhet bashkëpunim dhe koordinim i rregullt si në nivel nacional, ashtu edhe në atë rajonal por edhe në nivel global. Në një botë të dominuar nga mbi konsumi, mbi prodhimi, migrimi i vazhdueshëm dhe mbi popullimi, efiçienca, menaxhimi dhe trajtimi i mbeturinave si dhe ekonomia qarkore gradualisht shndërrohen në kryefjalë. Ato janë garanca jonë për tu përballur suksesshëm me sfidat mjedisore të ditëve tona”, ka thënë Osmani.

Para të rinjve, kryetarja e shtetit ka shtuar se mbrojtja e tokës nënkupton edhe mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe mirëqenies në tokë.

Osmani: Të mbrojmë tokën është ta mbrosh jetën, shëndetin dhe mirëqenien në tokë

“Konsideroj se na duhet mbështetje, bashkëpunim dhe koordinim. A kemi alternativë që të mos merremi me mbrojtjen e mjedisit, absolutisht jo, nuk ka asnjë alternativë tjetër. Të kujtojmë gjithnjë se të mbrojmë tokën dhe mjedisin, do të thotë të mbrosh shëndetin, të mbrosh jetën dhe të mbrosh mirëqenien në tokë”, ka shtuar Osmani.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se janë të hendikepuar nga fondet e Kombeve të Bashkuara.

Aliu: Nuk kemi qasje në fondet e Kombeve të Bashkuara

"Vendi ynë tashmë pavarësisht që po arrin të realizojë në fushën e legjislacionit dhe ndërtimit të mekanizmave politikat drejt zhvillimit të qëndrushëm dhe mbrojtjes së mjedisit, në anën tjetër nuk kemi qasje në fondet e Kombeve të Bashkuara. Gjë që e hendikepon jashtëzakonisht shumë vendin tonë, e që jemi duke lobuar në mënyrë shumë intensive tani që të mund të kemi qasje edhe ne në politikat e zbutjes së ndikimeve politikave, qoftë në përshtatjen. Sot kemi vërshime gjithandej vendit, kemi zjarre të paparashikuara, dëme të shumta ku vendet tjera marrin ndihma dhe adaptohen më lehtë nga këto ndryshime klimatike. Fatkeqësisht ne duhet ta bëjmë këtë me forcat tona”, ka deklaruar ministri Aliu.

Në këtë aktivitet i cili është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Luksemburgut, ambasadori Eric Dietz tha se është e rëndësishme rritja e ndërgjegjësimit dhe fuqizimi i të rinjve.

Dietz: Kjo nismë është e shkëlqyer për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve

“Besoj se kjo nismë është një mënyrë e shkëlqyer për të rritur ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e të rinjve për të ndërmarrë veprime drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Do të doja të citoja Nënë Terezën ku thoshte se ‘Ndihem e zemëruar vetëm ndonjëherë kur shoh mbeturina, kur gjërat që ne shpërdorojmë janë ato që njerëzit kanë nevojë, gjëra që do t'i shpëtonin ata nga vdekja’. Fëmijët tanë janë e ardhmja, çdo veprim që ndërmarrim sot do të ndikojë në jetën e tyre shumë më tepër se në jetën tonë, ne të gjithë kemi një rol për të luajtur në rindërtimin e tokës sonë. Dita e Tokës ofron një mundësi të shkëlqyer që ne të bashkohemi dhe të ndërmarrim veprime”, ka thënë Dietz.

Ndërsa udhëheqësja e UNDP, Maria Suokko ka thënë se planeti “Tokë” po përballet me sfida.

Suokko: Ndotja dhe mbetjet po grumbullohen

Çdo ditë dëgjojmë për sfidat me të cilat po përballet planeti Tokë. Klima po ndryshon, natyra dhe bio-diversiteti kërcënohen, ndotja dhe mbetjet po grumbullohen. Blloqet ndërtuese të një jete të shëndetshme të ekuilibruar; uji i pastër, ajri i pastër, një klimë e qëndrueshme janë të gjitha në rrezik duke vënë në rrezik edhe qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Të gjithë kemi përgjegjësinë të veprojmë si individë, si komunitet. Ne kemi mjetet, kemi njohuri për të mbrojtur planetin për brezat e ardhshëm. Por ndonjëherë, sfidat duken shumë masive dhe komplekse, të pamundura për t'u përballur nga individët, por fakti është se çdo veprim ka rëndësi, dhe duke punuar së bashku, ne mund të arrijmë shumë më tepër”, ka thënë ajo.

Për çdo vit, me datën 22 prill shënohet Dita e Tokës për të treguar mbrojtjen e mjedisit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat