Vuçiq për takimin në Bruksel: S’ka datë, Kurti shkon së pari në Vatikan për të kërkuar njohje

Lajme

Vuçiq për takimin në Bruksel: S’ka datë, Kurti shkon së pari në Vatikan për të kërkuar njohje

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 14:27
Borrell- Vuçiq- Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur sot se nuk do të shkojë në Bruksel për negociata me kryeministrin Albina Kurti, derisa të lirohen serbët e arrestuar, derisa policia e Kosovës dhe kryetarët shqiptarë të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Vuçiq përmendi se ai beson se nuk është caktuar një datë e saktë as në Bruksel, edhe pse BE është në kërkim të kësaj date.

“Mendoj se Kurti ka punë për të bërë, ai do të shkojë në Vatikan fillimisht për të kërkuar njohjen e Kosovës”.

Presidenti i Serbisë shtoi se nuk do të pranojë taktikat e tokës së djegur.

“Mos kërko takime. Sot është një ditë e mirë, por ndonjëherë më pushtojnë emocionet, siç do të thoshte Viktor Orban, jam shumë i vjetër për ta bërë këtë, por çfarë të bëj”, tha Vuçiq.

Krejt këto komente presidenti serb i bëri gjatë një takimi që pati me kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat