Dënohet 22 vite e 3 muaj burgim i akuzuari për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë

Lajme

Dënohet 22 vite e 3 muaj burgim i akuzuari për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 22 vite e 3 muaj burgim të akuzuarin Atdhe Musliu, i cili ngarkohej nga Prokuroria se në bashkëkryerje me Labionot Bajramin e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin A.H. në 2023-ën në Fushë-Kosovë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Arrni tha se i akuzuari Musliu është gjetur fajtor për veprën penale “Vrasje”, dhe për këtë vepër i ka shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vitesh.

Kurse për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” i njëjti u dënua me dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj.

Ndaj të akuzuarit gjykata me aktvendim të posaçëm ka vazhduar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, dhe të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu i akuzuari obligohet që të paguaj paushallin gjyqësor me shumën prej 100 euro, ndërsa për kompensimin e viktimave të krimit shumën në 50 euro, të gjitha këto në afat 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Lidhur me kërkesën pasurore juridike e familjes së të ndjerit, udhëzohet në kontest të rregullt civil.Gjithashtu gjykata ka konfiskuar armën, respektivisht thikën me të cilën është kryer vepra penale.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura gjyqësore ngase i njëjti në seancën fillestare të datës 5 shtator të këtij viti kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë  përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim e privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.  /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat