Avokati serb thotë se do të ngre kallëzim penal ndaj grupit të Radoiçiqit për terrorizëm dhe vrasje në Kosovë

Lajme

Avokati serb thotë se do të ngre kallëzim penal ndaj grupit të Radoiçiqit për terrorizëm dhe vrasje në Kosovë

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 17:02
Avokati Çedomir Stojkoviq

Avokati Çedomir Stojkoviq nesër do të ngre kallëzim penal për terrorizëm dhe vrasje të rëndë kundër grupit serb, pjesëmarrës në sulmin terrorist në manastirin e Banjskës në veri të Kosovës.

“Të përkujtojmë se edhe 10 ditë pas aktivitetit paraushtarak në manastirin e Banjskës, ku u vra një polic i Kosovës, të cilës Republika e Serbisë ia njeh legjitimitetin e plotë sipas Marrëveshjes së Brukselit, dhe ku u vranë të paktën tre sulmues [serbë] askush nuk është arrestuar”, tha Stojkoviq.

Siç transmeton “Danas”, Stojkoviq ka thënë se është e qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mbron pjesëmarrësit e ngjarjes paramilitare, të cilët, siç thotë ai, përbëjnë terrorizëm nga neni 391 i Kodit Penal (për të cilën parashihet dënim me burg nga 5 deri në 15 vjet) dhe veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 114 i Kodit Penal (për të cilën parashikohet dënim me burg prej së paku 10 vjet deri në maksimum me burgim të përjetshëm).

“Zvarritja për fillimin e procedurës penale dhe arrestimin e autorëve, padyshim synon fshehjen e përfshirjes së lidershipit shtetëror serb në organizimin e asaj ngjarje. Në të njëjtën kohë, sipas praktikës ekzistuese të gjykatave të Serbisë, për çdo armëmbajtje pa leje në Serbi, paraburgimi është i detyrueshëm për kohëzgjatjen e hetimeve, dhe që nga ngjarja tragjike në shkollën fillore Vladislav Ribnikar, ai paraburgim detyrimisht zgjat me muaj”, tha Stojkoviq.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit dhe se të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas njoftimit, Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Aty nuk jepen detaje të tjera.

Më 29 shtator, Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat