Xhaferi flet për vizitën jo zyrtare të Kurtit në Tetovë

Lajme

Xhaferi flet për vizitën jo zyrtare të Kurtit në Tetovë

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 21:36
Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, ka folur rreth vizitës joformale të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, më 11 gusht në Tetovë dhe Çair të Shkupit, ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare.

Ani pse vizita e Kurtit ka nxitur reagime dhe debate tek spektri politik shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Xhaferi tha se kryeministri si prezantues i një shteti ka të drejtë të paraqitet kudo.

“Ne jemi të lirë të paraqitemi kudo. Por, mënyra e komunikimit është e përshkruar institucionalisht, për faktin që prezantojmë një institucion e një shtet, nuk është vetëm për të prezantuar një subjekt politik. Bartja e funksionit të kryeministrit, të kryetarit të parlamentit, të kryetarit të shtetit, nuk është vetëm si politikë partiake, është shtetërore dhe është prezantues i një shteti. Kështu që, e kemi lirinë për të qenë kudo, për faktin që jemi edhe shtete mike që komunikojmë, kemi edhe shoqëri private”, deklaroi Xhaferi.

I pyetur se a kishte ftesë për takim nga Kurti gjatë asaj vizite, Xhaferi tha se nuk është e domosdoshme të ketë njohuri personale.

“Korrespodenca ndërkombëtare është e përshkruar me protokole ndërkombëtare. Për aspekt të respektit ndaj institucionit të shtetit, kur paralajmëroj që do të jem privat atje ku do jem, shteti nikoqir ka përgjegjësi për çdo ndodhi të mundshme që mund të ndodhë rreth meje”, shtoi tutje Xhaferi.

Reagimet janë nxitur pasi që ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Kurti “me siguri” nuk ka qëndruar për vizitë në cilësinë e kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat