Propaganda e re e Serbisë: Armët e sekuestruara nga emigrantët në kufi me Hungarinë, vijnë nga Kosova

Lajme

Propaganda e re e Serbisë: Armët e sekuestruara nga emigrantët në kufi me Hungarinë, vijnë nga Kosova

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Serbia po vazhdon misionin e saj me sulme e propaganda ndaj Kosovës. Këtë herë rolin e propaganduesit për ta paraqitur Kosovën si shtet jostabil e ka marrë Bratislav Gashiq ministër i MPB-së serbe.

Pa paraqitur asnjë fakt që e dëshmon akuzën e tij drejt Kosovës, Gashiq ka thënë se armët e sekuestruara nga emigrantët, në territorin përgjatë kufirit me Hungarinë, vijnë nga Kosova.

Këto akuza të pabaza ai zgjodhi që t’i thotë pikërisht në ditën kur në Serbi u vendos gurthemelit i ndërtesës së xhandarmërisë serbe në Rakovicë të Beogradit.

Ministri Gashiq tha se grupet e organizuara kriminale që kontrabandojnë emigrantë në veri të Serbisë kanë ndihmën e mafies shqiptare nga Kosova

“Këta nuk janë emigrantë, janë grupe të organizuara kriminale kundër të cilëve ne po luftojmë. Do të thotë që ne duhet të ndajmë se çfarë janë emigrantët dhe çfarë janë grupet e organizuara kriminale, me ndihmën e mafies shqiptare – armët dhe gjithçka, dhe këtë duhet t’ua themi qytetarëve”, tha ai.

Këto akuza të pabaza drejtuar Kosovës, Gashiq i bëri vec pak kohë pasi në Kosovë ndodhi në sulm terrorist ku mbeti i vdekur një polic i Kosovës dhe tre terroristë.

Në orët e para të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, ku edhe u vra polici Afrim Bujaku.

Gjatë asaj dite, kishte vazhdimisht të shtëna armës, ku Policia e Kosovës u ballafaqua me këtë grup terrorist, të cilët në numër ishin mbi 30.

Ndaj sulmit terrorist në veri, reaguan edhe krerët e shtetit, duke e quajtur sulm ndaj shtetit të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

Kurse, Kryeministri Albin Kurti, tha se kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Teksa në ora 10:00 të mëngjesit ai mblodhi Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastiri në Banjskë të Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Dioqeza Rashkë-Prizren përmes një reagimi në rrjete sociale, kishte konfirmuar se persona të maskuar e të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa theksoi se po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.

Kryeministri Kurti, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe akterët tjerë gjatë gjithë ditës kanë bërë thirrje që të pjesëtarët e grupit terrorist të dorëzohen.

Më vonë, nga Policia e Kosovës, u konfirmua se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë vrarë, një prej tyre ishte plagosur, ndërsa më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Ministri i Brendshëm, në mbrëmje tha se edhe pelegrinët e Manastirit po hetoheshin nëse në mesin e tyre ka persona të infiltruar të grupit terrorist.

Veç Policisë së Kosovës, i gatshëm për intervenim ishte shprehur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë u mbyllën pas zhvillimeve të fundit në veri. Qëndruan të mbyllura deri para pak ditësh.

E vec dy ditë pas sulmit, Ministri i  Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar pamje nga brenda Manastirit Banjskë, e ku shihet Milan Radoiciq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Pas fakteve të publikuara, Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Avokati i tij duke bërë të ditur vendimin ka lexuar edhe një letër të tij, ku pranohen akuzat e ngritura më parë nga ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.

Por ai shton se arsyeja e kthimit ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, sipas tij për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit

Më tej ai tenton të heq përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se e ka financuar vetë aksionin.

“Personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. Metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.”

Pas e pranoi se ishte pjesmarrës në sulmin terrorsit, Radoiciq u arrestua, pork y arrestim nuk zgjati shumë.

Një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Sic u than ë njoftimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Lirimi i tij vjen vetëm një ditë pasi që u arrestua nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, ku i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë – masë e cila nuk u zbatua.

Arrestimi dhe lirimi i kriminelit Radojiçiç, vjen pak ditë pasi që ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie sipas Kodit Penal të shtetit të Serbisë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa më pas, ato armë sipas pretendimeve të tyre “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

As pamjet nga droni që tregojnë se terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, kryen ushtrime në bazat ushtarake në Serbi, nuk po e bindin Bashkimin Evropian që të vendos sanksione ndaj këtij shteti.

Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë as pas publikimit të pamjeve që dëshmojnë se terroristët janë trajnuar në bazën ushtarake të Serbisë në Pasuljanske Livade.

Që Serbia ka gisht në sulmin terrorist në Banjskë mund të kenë dyshime, por të paktën Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa tek pas përfundimit të hetimeve, do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Armët që u kapën

24 SUV, 1 automjet luftarak i improvizuar, 2 motoçikleta 4×4, 8 mina kundër personelit, 8 mina kundër tankut, 36 raketëhedhës M80 Zolja, 142 predha mortaje, 75 granata dore, 150 eksploziv dinamit, 5.5 kg eksploziv plastik, 20 kg eksploziv TNT, 9 granata pushke, 23 detonatorë elektrikë, 6 mitralozë, 1 hedhës nitroglicerine, 30 AK-47, 18 silenciatorë për AK-47, 235 karikatorë për AK-47, 6 automatikë me pamës, 3 pistoleta, 3 pistoleta me silenciatorë, 21 jelekë antiplumb, 15 dylbi nate, 1 dylbi nate termike, 3 dronë, 32 radiomarrës, 4 kamera, 5 palë këpucë taktike, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 10 mbulesa kamuflazhi ushtarake, 1 busullë ushtarake, 6 harta satelitore, 3 harta topografike, 1 telefon celular, 32 telefona të mençur, 23 maska, 20 kazma, 20 lopata, 8 sëpata, 3 motosharra, 4 sharra dore, 2 barela, 1800 kartëmonedha (euro & dinarë serb), ushqime dhe ilaqe, sasi e madhe municioni e kalibrave të ndryshëm

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat