S’ka zgjedhje serbe në Kosovë

Lajme

S’ka zgjedhje serbe në Kosovë

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 09:51
Aleksander Vuciq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, derisa këtij të fundit ia ka bërë të qartë se pa marrëveshje ndërshtetërore nuk mund të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në një njoftim për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, ata diskutuan për progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

Komisioni për zgjedhje në Serbi ka konfirmuar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen vetëm brenda territorit të tyre shtetëror.

Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviq, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë do të mund të votojnë në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Turin më 17 dhjetor.

Ai ka shtuar se kanë marrë një njoftim se “nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë që do të ishte në përputhje me rregulloret ligjore”.

Ka qenë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ditë më parë ka thënë se që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve serbe duhet kërkesë nga Beogradi dhe marrëveshje në mes të dyja shteteve.

Ndryshe, me 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.

Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarris zbatimin e marrëveshjes, tashmë të vonuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat