Çanak: Pse opozita serbe po hesht për Milan Radoiçiqin?

Lajme

Çanak: Pse opozita serbe po hesht për Milan Radoiçiqin?

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 20:51
Nenad Çanak

Politikani socialdemokrat, Nenad Çanak ka treguar arsyet se pse opozita e ka të vështirë të rrëzojë Vuçiqin në zgjedhjet që do mbahen më 17 dhjetor.

“Gjasat për ndryshime janë të vogla, kjo për arsye se opozitës i mungojnë idetë e qarta, ata po kërkojnë vetëm pushtet. Në anën tjetër, Aleksandar Vuçiq po kërkon që ta fitojë shumicën dhe mundësisht të evitojë një koalicion me Ivica Daçiçin. Kurse, në Beograd mendoj se ka gjasa për disa ndryshime krahasuar me nivelin qendror. Megjithatë, unë besoj se shumë gjëra në Serbi do të ndryshojnë në zgjedhjet ardhshme të vitit 2027-të, ku Serbia do të duhet të përcaktohet se cilën rrugë do ta zgjedhë për të ardhmen”, ka thënë Çanak.

Tutje, ai  thotë se Vuçiq do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira me Moskën edhe për një periudhë dhe se Perëndimi e di që alternativat e tjera nuk dallojnë shumë nga ai.

“Perëndimi e di mirë se disa nga politikanët opozitarë serbë nuk dallojnë shumë nga Aleksandar Vuçiqi. Prandaj, po e them se në këtë fazë në Serbi nuk ka shumë alternativa, partitë nuk përfaqësojnë kurrfarë ideologjie dhe kështu nuk mund të presësh ndryshime. Aleksandar Vuçiq do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të dyshimta me Rusinë si dhe me Perëndimin, ashtu siç ka vepruar deri më tani”, shprehet politikani serb.

Çanak, ka kritikuar opozitën edhe për çështje të tjera që lidhen me Kosovën.

“Askush nuk po e bënë pyetjen se ku është Milan Radojiçiq, i cili është përgjegjësi kryesor për rebelimin e armatosur muaj më parë në veriun në veriun e Kosovës. Askush nuk po e thotë asnjë fjalë për të gjithë atë tragjedi që ndodhi në Banjskë, pse po heshtin? Ajo ngjarje i ka sjellë disa pasoja Serbisë dhe askush nuk po flet gjë”, ka thënë ai.

Në fushatë zgjedhore, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se ka frikë që viti 2024 do të karakterizohet me më shume konflikte e trazira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat