“Urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë”, letra që avokati serb la mbi varrin e Blerina Jasharit

Lajme

“Urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë”, letra që avokati serb la mbi varrin e Blerina Jasharit

Më: 18 janar 2024 Në ora: 15:39
Çedomir Stojkoviq

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën “Më fal”.

Këto fjalë janë shkruar në letrën që avokati serb, Çedomir Stojkoviq, la mbi varrin e Blerina Jasharit, në Prekaz ku këtë të enjte bëri homazhe.

Fragmenti është shkruar në tri gjuhë, fillimisht në gjuhën shqipe, serbe dhe në gjuhën angleze.

Kjo vizitë e avokatit serb, Çedomir Stojkoviq është paralajmëruar para disa ditësh dhe është kundërpërgjigje ndaj politikës së Aleksandër Vuçiqit.

Stojkoviq tha se nuk ia ka drojën pasojave shtetërore për këtë vizitë.

Image
Mesazhi i Çedomir Stojkoviq

Për më tepër, thotë se pret të shohë se a do të reagojë Serbia ndaj tij, njësoj si ndaj Sanduloviqit.

Ndryshe, javë më parë klienti i tij, opozitari serb, Nikola Sanduloviq, ishte arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai ishte torturuar fizikisht dhe psiqikisht nga shërbimi sekret serb.

Ndryshe, Stojkoviq kishte postuar dokumentin që dëshmon akuzën ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviqit.

Sipas Stojkoviq, politikani Sanduloviqi është rrahur për shkak se postoi një video në platformën “X”, ku shihej duke vënë lule te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe për faktin se kishte kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë.

“Këtu mund të shihni vendimin/urdhrin e Prokurorit të Lartë Publik nga Nishi për të arrestuar Nikola Sanduloviqin për: ‘Postimin e tij në rrjetin social X ku vendosi lule në varret e shqiptarëve në Kosovë’”, shkroi në një postim tjetër avokati Stojanoviq. Ata po e marrin Nikolan sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është kjo një akuzë zyrtare dhe formale kundër tij. Më lejoni të përsëris: akuza zyrtare dhe formale është se ai ‘përhapi urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varrezat e shqiptarëve dhe kërkoi falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, kishte deklaruar Stojkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat