I riu ia publikoi një vajze fotografitë nudo në grupin “AlbKings” në Telegram, detaje nga kërkesa për paraburgim

Lajme

I riu ia publikoi një vajze fotografitë nudo në grupin “AlbKings” në Telegram, detaje nga kërkesa për paraburgim

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 12:10
Pamje nga vendi i ngjarjes

Njësia e Krimeve Kibernetike e Policisë Rajonale në Gjilan ka zhvilluar një aksion lidhur me një rast të denoncuar në janar dhe si rezultat ka arrestuar një person. Media raportoi dje se i dyshuari 19-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor dhe ndaj tij tashmë kërkohet masa e paraburgimit pas ndalimit prej 48 orësh.

Siç mësohet, i dyshuari që u arrestua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” është Lindgzim Bislimaj.

Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Në të thuhet se “i pandehuri Lindgzim Bislimaj përmes numrit të tij të telefonit në aplikacionin WhatsApp me dashje dhe pa autorizim ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës”.

Ai tutje sipas kërkesës për paraburgim e kanos të dëmtuarën se nëse e njëjta nuk do kryente veprimet sipas dëshirës së tij, ai do t’ia publikonte fotografitë nudo.

Pasi e njëjta nuk i është bindur kërkesave të tij, i dyshuari ia ka postuar fotografitë në rrjetin social Telegram, konkretisht në grupin me emër “AlbKings”.

I dyshuari me vendim të Prokurorit është në masën e ndalimit prej 48 orësh, njoftoi dje Prokuroria Themelore në Gjilan.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’’, nga neni 202 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat