Rahoveci ndan 500 euro për lindje, subvencionon edhe shpenzimet e varrimit

Lajme

Rahoveci ndan 500 euro për lindje, subvencionon edhe shpenzimet e varrimit

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 22:18
Smajl Latifi

Përveç subvencionimit të lindjeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, kjo komunë tashmë mbulon edhe shpenzimet e varrimit.

Kështu bëri të ditur kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, teksa tha se kjo iniciativë bëhet në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, ku secila familje përfiton nga 220 euro.

“Ne i subvencionojmë edhe shpenzimet e varrimit. Përmes Bashkësisë Islame, secila familje përfiton nga 220 euro kur ka raste të vdekjes. Ne e respektojmë atë familje që ka humbur anëtarin e vet, ne duam t’i japim fuqi e përparësi”, deklaroi Latifi.

Ndërkaq, sa i përket subvencionimin e lindjeve në Rahovec, Latifi tregoi se në repartin e maternitetit tashmë  është shtuar edhe një specialist.

“Që nga viti 2021 ne i subvencionojmë lindjet në Komunën e Rahovecit. Në vitin 2021 subvencionimi ka qenë 200 euro, në vitin 2022, 300 euro, në vitin 2023 kanë qenë 400 euro, ndërsa në këtë vit subvencionimi do të jetë 500 euro. E kemi edhe një lajm të mirë, sepse tani ka ardhur edhe një specialist tjetër me përvojë të gjinekologjisë, përveç Ilir Kadirit, e Fejrzi Kryeziut, tashmë do të jetë edhe Ejup Zeka. Që do të thotë, tani i kemi tre specialistë”, shtoi tutje Latifi.

Me ç’rast, Latifi u bëri thirrje të gjitha qytetareve të Rahovecit të cilat kanë nevojë për këtë shërbim, t’i drejtohen këtij reparti pa asnjë dyshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat