ZRRE: KOSTT, KEDS dhe KESCO ende nuk kanë dorëzuar aplikacionet për tarifat e reja të energjisë elektrike

Lajme

ZRRE: KOSTT, KEDS dhe KESCO ende nuk kanë dorëzuar aplikacionet për tarifat e reja të energjisë elektrike

Më: 26 mars 2024 Në ora: 16:42

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e tij të dytë (II) për këtë vit, të mbajtur, më 22 mars 2024, ka miratuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) të operatorëve të Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Vlera e përgjithshme e miratuar e THL-së për periudhën rregullative prill 2024 – mars 2025 është vendosur të jetë 399.62 milion euro.

Sipas vendimit, Bordi ka kërkuar nga operatorët që bazuar në të hyrat e lejuara, të dorëzojnë sa më shpejt që është e mundur kërkesat për tarifat e reja të cilat do të miratohen në seancën e ardhshme të Bordit.

Nga ZRRE-ja kanë treguar se operatorët ende nuk i kanë dorëzuar propozimet për tarifat e reja të energjisë elektrike.

“Operatorët: KOSTT, KEDS dhe KESCO ende nuk kanë dorëzuar aplikacionet për tarifa”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Nga KEDS-i nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë propozim për tarifat e reja të energjisë.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Lulzim Krasniqi ka thënë për Front Online se për këtë çështje vendos ZRRE-ja.

“Autoriteti, i cili vendos për çështjet tarifore të energjisë në Kosovë, është Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike. Për çështje të tilla, ju lutem drejtojuni kësaj të fundit”, ka thënë Krasniqi..

Interesimit të portalit nuk i janë përgjigjur nga operatorët KOSST e as KESCO.

Ditë më parë nga ZRRE-ja në një përgjigje për Front Online kanë folur rreth mundësisë për rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Ata thanë se janë në proces të analizimit dhe shqyrtimit te komenteve te dërguara nga palët e interesuara dhe pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre dhe sipas tyre një përgjigje do e japin në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill.

‘’ ZRRE pas publikimit të vlerësimit fillestar lidhur me të Hyrat e Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të rregulluara ka pranuar komente nga palët e interesit. Aktualisht ZRRE është ne proces të analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara dhe pas shqyrtimit dhe analizimit te tyre, planifikohet që kah fundi i  këtij muaji të merret vendimi për të hyra maksimale. Ndërsa propozimi për tarifa bëhet nga ndërmarrjet e rregulluara konform të hyrave të aprovuara, vendimi për të cilat pritet të merret në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill’’, thonë nga ZRRE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat