7,800 euro për episod, nënkryetarja e Bordit të RTK-së e quan dështim të madh serialin ‘Tosta te Suki’

Lajme

7,800 euro për episod, nënkryetarja e Bordit të RTK-së e quan dështim të madh serialin ‘Tosta te Suki’

Më: 1 prill 2024 Në ora: 16:41
Seriali ‘Tosta te Suki’

Seriali vendor për të cilin Radio Televizioni i Kosovës pagoi 78 mijë euro për dhjetë episode, po konsiderohet dështim nga nënkryetarja e Bordit të RTK-së.

Nënkryetarja Albulena Mehmeti tha se ‘Tosta te Suki’ nuk i ka merituar paratë që janë dhënë për të.

“Tek seriali humoristik keni konsideru që ka qenë një arritje e RTK-së, ndërsa për mendimin tim ka qenë dështim i madh i RTK-së, sepse jo që nuk ka pasë shikueshmëri por realisht as nuk është promovu sa duhet, nuk ka qenë serial që i ka meritu këto të holla, për mendimin tim”, tha ajo në mbledhjen e bordit të mbajtur të mërkurën më 27 mars.

Radio Televizioni i Kosovës lidhi kontratë me Kabashi Production, një kompani produksioni në pronësi të Astrit Kabashit, për transmetimin e serialit ‘Tosta te Suki’ vitin e kaluar.

Palët u dakorduan që për një episod të serialit, RTK-ja t’i paguante nga 7 mijë e 800 euro.

Sipas të dhënave të publikuara në e-prokurimi, secili episod i serialit duhet të ketë kohëzgjatje së paku 25 minuta.

Kontrata mes RTK-së dhe Kabashi Production ka kohëzgjatje prej 12 muajsh. Ajo është nënshkruar në korrik të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat