Kadetët e FSK-së, bashkë me ushtarë të 13 shteteve në Krivollak

Lajme

Kadetët e FSK-së, bashkë me ushtarë të 13 shteteve në Krivollak

Më: 13 korrik 2016 Në ora: 07:31
FSK

(E plotësuar)  -  Kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 10 ditë ushtruan bashkë me ushtarë të 13 shteteve të botës.

Në Krivollak të Maqedonisë ata bënë ushtrime krahas ushtarëve të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Turqisë, Sllovenisë, Rumanisë, Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera.    

Ushtrimi fushor “Kampi veror 2016” ka përfunduar sot ku ushtarët e shteteve pjesëmarrëse demonstruan aftësitë e tyre për atë se çka ushtruan për dhjetë ditë.

Drejtori i drejtorisë për Operacione dhe Trajnime në FSK Zymer Halimi tha se ky aktivitet , i cili që nga viti  2010 është bërë tradicional është shumë i rëndësishëm pasi që kadetëve të FSK-së u ipet mundësia që të këmbejnë eksperienca me njerëz të 13 shteteve tjera.

Po ashtu Halimi tha se kadetët e FSK-së mund të marrin por edhe të japin mësime ndërmjet pjesëmarrësve në kamp.

Halimi: Aktiviteti shërben për këmbim të eksperiencave mes përfaqësuesve të shteteve

“Këtë aktivitet e organizojmë dhe e realizojmë qe disa vjet me radhë dhe tani është bërë një aktivitet tradicional. Që nga viti 2010 i kemi kadetët tanë në këtë kamp në poligonin e Krivollakut. Ky është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm për arsye se pjesëmarrja e 13 shteteve dhe është e nevojshme që edhe kadetët tanë të marrin eksperienca, të këmbejnë eksperienca, të familjarizohen, bashkëbisedojnë, ata të shohin aktivitetet tona, t’i shohin aktivitetet e tyre, t’i kombinojnë dhe të bëjmë krahasime se ku jemi dhe se çka duhet të bëjmë që të organizohemi edhe më mirë”, tha Halimi.

Ushtrimi fushor “Kampi veror 2016” është organizuar nga Minsitria e Mbrojtjes dhe Armata e Maqedonisë.

 

Zëvendës ministri i Mbrojtjes në këtë shtet Bekim Maksuti tha se sivjet është shënuar numër rekord i pjesëmarrësve në këtë kamp ndërsa tha se pjesëmarrësit e këtyre shteteve mund të  tregojnë se mund të flasin dhe mund të bashkëpunojnë me një gjuhë të përbashkët.

 Maksuti: Kampi, mundësi që kadetët të flasin në një gjuhë

“Është hera e parë që sivjet ka kaq numër masiv pjesëmarrësish prej 13 vendeve me një numër rekord prej 290 pjesëmarrës organizuar në një afat 10 ditor.  Të gjitha shtetet pjesëmarrëse duke filluar nga SHBA, Britania e madhe, Slloveni, Turqia, Rumania, Italia Kosova Shqipëria si dhe nga përfaqësues të universiteteve të studentëve,  të cilët në bazë të plan programeve të tyre përputhen me korrikulën e këtij kampi veror ishin sot dhe na treguan neve se si liderët e ardhshëm të vendeve të tyre por edhe studentët mund të flasin një gjuhë të përbashkët. Pra mund të flasin nga 13 vend,  mund të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë  të vendeve të tyre por edhe për një të ardhme për një bashkëpunim bilateral  ndërmjet vendeve dhe ministrive të Mbrojtjes”, tha Maksuti.

Ushtrimi fushor “Kampi veror 2016” në Krivollak mblodhi 290 pjesëmarrës nga 13 shtete.

Pjesëtarët e FSK-së që nga viti 2010 marrin pjesë në këto aktivitete të organizuar nga Maqedonia.

Ushtritë e rajonit bashkohen në Maqedoni

Mbahet ushtrimin Fushor “Kampin Veror 2016”, në poligonin ushtarak në Krivollak të Maqedonisë, ku janë prezent kadetët e FSK-së dhe kadetët e shteteve tjera.

Ushtrimin fushorë në Maqedoni do ta ndjekin për së afërmi personalitete shtetërore dhe ushtarake nga shtetet pjesëmarrëse.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat