Hoxhë Osman Musliu: Nuk kemi nevojë të frikësohemi nga feja por nga ata që e përdorin fenë

Lajme

Hoxhë Osman Musliu: Nuk kemi nevojë të frikësohemi nga feja por nga ata që e përdorin fenë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 gusht 2016 Në ora: 16:21
Hoxhë Osman Musliu

Duke folur rreth asaj se a duhet të futet si lëndë nëpër shkollat e Kosovës, lënda e besimit fetar, Ismet Haziri analist politik ka thënë se çështja e ngritjes të besimit fetar në shkolla, është rezultat i gjendjes së tërësishme të nivelit shoqëror, të respektimit të ligjit dhe të laicitetit të rregullimit kushtetues. Ai ka thënë se para se të thellohemi në çështjen e mësimit të besimit në shkolla, dua të shkoqis me pak fjale interpretimin e laicitetit.

“Për laicitet kemi pozicion, këndvështrim dhe interpretim naiv nga elita politike në Kosovë duke e relativizuar nga interpretimi i drejtë kushtetues dhe duke devijuar nga preambula kushtetuese e Republikës të Kosovës.

“Prandaj nga ky fakt që ne jemi të përcaktuar mbri rregullimin shoqëror që në veti përmban edhe të drejtën e besimit por pa u involvuar në proceset shoqërore dhe në veçanti në sistemin shkollor. Këto fakte i determinojë nga qasja e hapësirës dhe kohës. Në aspektin hapësinor, në tërësinë e trojeve etnike shqiptare , në asnjë cepë të Evropës nuk ka homogjeni im etnie sikur që kemi ne, në Ballkan. Në vet faktin e të qenurit kaq homogjen, të qenurit ndryshe në besim, asnjëherë nuk ka interfenuar në raportet e ndërtimit të mirëbesimit dhe të respektit për besimit, përkundrazi diversiteti tradicional fetar ka qenë i veçantë dhe shembull në glob. Prandaj as në të kallurën në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi, nuk ka munguar predikimi dhe besimi si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë sasior”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, në këto hapësira ne duhet ti ruajmë këto vlera besimi që tradicionalisht janë islami(syneti) dhe krishterë(ortodoks dhe katolik).

“Duke analizuar hapësirën dhe kohen, nga aspekti i besimit, përmbajtja e besimit ka ndryshuar në qëllim. Përderisa besimi tradicional ka qenë shpirtëror dhe personal, tani në trojet shqiptare janë hapur shtigje që janë vërshuar nga misionarët nga të gjitha anët e botës. Tani besimi po kthehet në qëllim interesash të ndryshme politike me qëllim të dëmtimit të divesitetit tradicional fetar duke shpifur sekte dhe besime të reja si vehabizmi ne islam, dhe protestantizmi, budizmi ,jehovizmi në besimin krishterë dhe që të gjitha janë të pa njohura veçanërisht për Kosovën në periudhën e paraluftës”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se faktet e ngritura më lartë janë me peshë, janë më të zëshme dhe harmonizohen në qëllime, të futjes së turireve në sistemin e arsimit të Kosovës.

“Misionarët e këtyre llojeve me dinakëri dhe perfiditet kanë nuhatur paqëndrueshmërinë institucionale dhe socio-ekonomike të pas luftës në Kosovë dhe kanë shfrytëzuar maksimalisht vakumin ligjor dhe institucional për veprim të shpëlarjes së trurit në kategori të caktuar shoqërore. Të tillët janë munduar që të joshin me benifite materiale si kundërvlerë për të rritur në aspektin sasior organizatat për të cilat është investuar për të shpikur një besim tjetër apo një demonstrim ritual ndryshe si në formë dhe në brendi. Krejt kjo situatë, ka ndodhur para syve të kësaj elite intelektuale dhe politike duke lejuar veprimin për përfitime materiale dhe elektorale si dhe simpatinë e vendeve ,origjina e të cilave janë këto organizata”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, duke mos diagnostifikuar mire gjendjen shoqërore, metamorfoza e këtyre elementeve ekstreme ka kanceroze ka derivuar në metastaz dhe për pasojë kemi pasur dëmtime të mdhaja shoqërore me pasoja faktike.

“ Rastet konkrete janë shkuarja e djemve dhe vajzave tona në luftëra të pakuptimta dhe humbje të jetëve për asgjë. Në të njëjtën kohë ,si vazhdë e këtyre defekteve shoqërore dhe mungesë të ndërmarrjes së veprimeve të prera e të përgjegjshme në interesinë e shtetit të Kosovës dhe interesit kombëtar, sot fare pa nevoje dhe pakuptimë debatohet për futjen e mësimdhënës të besimit në sistemin e arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ne si Kosovë, kemi kurajë që brenda sistemit kushtetues –demokratik të u epët hapësira e predikimit dhe besimit secilit edhe në sheshin ma të madh që ka Kosova në qendrën e Prishtinë”, ka thënë Haziri. Ai ka shtuar se veprimet e komuniteteve kanë qenë fare të pakontrolluar dhe pa llogaridhënie në aspektin e veprimeve dhe të burimeve financiare, veçanërisht ndërtimet dhe pozicionimet e tyre. “ Për predikim kanë qenë të natyrës propagandistike se sa nevojë elementare për të i kryer ritualet , ngase nuk kuptohet fakti të ndërtosh një objekt ku as nuk ka popullatë ose nuk ka besimtar të atij komuniteti. Rasti më i freskët i veprimit të kësaj natyre është ndihma turke për një shkollë në Prishtinë, ku pasojnë flamujt e këtij shteti, sikur se ja ka lënë babai këto troje”, ka thënë Haziri duke shtuar se kjo është e pa pranueshme dhe kushdo që ka ngritur këta flamuj nuk duhet ta ketë vendin në Arsmin e Kosovës ngase është kokë e ndotur ose shpirt i shitur.

Osman Musliu, imam ka thënë se, ne si shoqëri jemi në një krizë të thellë morale dhe kemi nevoje të dalim nga kjo gjendje, kurse si mjetin zgjidhjes së këtyre problemeve e kam cekur edhe edukimin e mirëfilltë fetarë.

Ai ka thënë se edukimi i duhur fetarë do na ndihmonte si shoqëri që të mbrohemi nga droga, prostitucioni, korrupsioni dhe shumë degjenerime që na kanë kapluar.

“Mendoj se ne s’kemi nevojë të frikësohemi nga feja por nga ata që e përdorin fenë, ashtu sikurse s’kemi nevojë të frikësohemi nga identiteti ynë kulturorë e fetarë. Mirëpo sot po e shohim se udhëheqësit tanë iu vjen turp e ndihen në siklet nganjëherë ta pranojnë kulturën shqiptare e identitetin mysliman. Kështu që besoj se mësimi i fesë nëpër shkolla nuk paraqet asnjë problem për shoqërinë tonë madje është shumë i nevojshëm. Ne sot përveç që kemi shumë nevojë për mjeke, inxhinier, arkitekt, sociolog, psikolog po ashtu kemi shumë nevojë që këta njerëz të jenë të moralshëm të edukuar dhe ti shërbejnë këtij vendi e kësaj feje ashtu siç kanë qenë baballarët tanë”, ka thënë imami Musliu.

Kiçmari: Shteti duhet të garantojë kureshtjen për më shumë dije, shkencë, filozofi, dhe etikë! Sabri

Kiçmari diplomat ka thënë se janë dy nene në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat e rregullojnë këtë çështje. Ai ka thënë se në nenin 8 të Kushtetutës është përcaktuar se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare, kurse neni 38 garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë.

 “Laiciteti është parim kushtetues, përmes të cilit garantohet ndarja e shtetit nga religjioni. Përderisa institucionet tona arsimore kanë status publik dhe paguhen nga bugjeti i shtetit, atëherë mësimi i besimit fetar do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është ana formale e çështjes. Ana përmbajtjesore ka të bëjë me atë se çfarë shteti dhe shoqërie duam të ndërtojmë në të ardhmen në vendin tonë. Religjioni dallon nga filozofia dhe shkenca, për faktin se e propagandon dhe pretendon se e njeh të vërtetën absolute, duke u mbështetur në fuqinë (mbitokësore, mbinatyrore, tejshqisore) transcendentale. Pretendimi i njohjes së të vërtetës absolute e stigmatizon kureshtjen për dije përtej kësaj të vërtetë”, ka thënë Kiçmari.

Sipas tij, shteti duhet të garantojë kureshtjen për më shumë dije, shkencë, filozofi, etikë.

 “Shkolla duhet të mbetet institucioni ku sistemi i dijes shkencore mbi veçoritë e qenies, raportet kauzale dhe ligjshmëritë e natyrës, teknikës, shoqërisë dhe mendimit mund të përmblidhen në formë të nocioneve, kategorive, ligjshmërive, hipotezave dhe teorive. Në anën tjetër, shteti duhet të ruajë neutralitetin e tij, duke mos ndërhyrë në bindjet dhe besimet e njerëzve. Çështja e besimit është individuale, jopublike, private. Qytetarët duhet të ruajnë dhe zhvillojnë bindje e tyre religjioze pa pengesë. Por, shteti nuk duhet shndërruar në instrument të religjionit, që e preferon dhe investon në të. Në momentin që do ta bëjë këtë gjë, ai nuk do të jetë më as shtet neutral dhe as shtet laik”, ka thënë Kiçmari.

Ai ka thënë se në rrethanat e Kosovës, janë edhe një numër plotësues argumentesh kundër vendosjes së mësimit të religjionit në shkolla: ruajtja dhe forcimi më tej i traditës shekullore të harmonisë ndër fetarë, ruajtja e shkollës si zonë e lirë nga ndikimi religjioz dhe orientimi i i saj drejt dijeve shkencore, shmangia e ndarjes së nxënësve sipas religjionit, mungesa e një kuadri të përgatitur pedagogjik për lëndë religjioze, rreziku i keqpërdorimit të sistemit të arsimit për propagandim të ideve fanatike religjioze.

 “Nuk do ta dëshiroja kurrë, që nxënësit shqiptarë të besimit islam të ndahen, qoftë edhe një orë të vetme në javë, nga ata të besimit të krishterë! Në vend të religjionit do të preferoja mësimin e etikës në shkolla. Në një drejtim të tillë nxënësit do të mësonin për normat e sjelljes në një shoqëri demokratike, lirinë e individit, vlerat shoqërore, moralin dhe virtytet njerëzore, drejtësinë dhe barazinë, nocionin e së mirës, pakufishmërinë e dijes, principet kategorike të veprimit, harmoninë ndër religjiozë si vlerë tradicionale dhe respektimin e tjetrit pranë teje, pavarësisht përkatësisë së tij”, ka thënë Kiçmari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat