Viti i ri shkollor me probleme të vjetra

Lajme

Viti i ri shkollor me probleme të vjetra

Nga: Sevdail Hyseni Më: 2 shtator 2016 Në ora: 09:51
Ilustrim

Më 1 shtator, si zakonisht, në rajonin e Luginës së Preshevës, ka filluar, viti i ri shkollor 2106/2017,  i preokupuar me probleme të vjetra.

Përveç mungesës së teksteve, zvogëlimit të numrit të nxënësve, kushteve kabinetike nëpër shkolla etj, këtë vit, është paraqitur edhe problemi i vonesës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Këshillin Kombëtar Shqiptar me Ministrinë e Arsimit të Serbisë, rreth sigurimit të teksteve mësimore, që për pasojë ka lënë nxënësit shqiptarë me çantat bosh.

Po ashtu edhe gjatë vitit të kaluar është paraqitur po i njëjti problem, kur Këshillit Kombëtar Shqiptar, pat porositur nga Ministria e Arsimit të Kosovës mbi 100 mijë tituj të librave shqip me vlerë prej 200 mijë eurosh, të cilat u bllokuan në terminalin doganor nga Qeveria e Beogradit, për t’u kthyer pas disa muajsh nga kishin ardhur.

Liderët institucionalë, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, vizituan disa shkolla, duke uruar një vit të mbarë e të suksesshëm.

Ata janë shprehur se shtatori, përveç që shënon fillimin e vitit të ri shkollor në përgjithësi, ai, simbolizon edhe fillimin e një etape krejtësisht të re dhe shumë të rëndësishme për fillestarët tanë. “Kjo datë po ashtu simbolizon shpresën tonë të përbashkët që në një të ardhme jo të largët nga shkollat tona të dalin kuadro të reja, të cilët, me përkrahjen tonë të pa rezervë, do t'i shërbejnë shoqërisë sonë në përgjithësi”, ka thënë Shaip Kamberi, kryetar komune në Bujanoc.

Vlen të theksohet se nxënësit e viteve të para të shkollimit fillor, nuk i gëzohen Abetares gjithëkombëtare, si bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, madje këtë vit edhe në Mal të Zi.

Një provokim të tillë, nuk mund ta përballojnë as arsimtarët, nxënësit dhe prindërit e tyre, të cilët e preferojnë Abetaren mbarëkombëtare, e cila do të mësohet nga të gjithë nxënësit shqiptarë, kudo qofshin ata, që nga Preveza e deri në Konispol.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat