Shtypi malazez: Ja kush e tradhtoi dhe e lajmëroi në Polici, Bratisllav Dikiqin

Lajme

Shtypi malazez: Ja kush e tradhtoi dhe e lajmëroi në Polici, Bratisllav Dikiqin

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 11:49
Ish komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratisllav Dikiq, i arrestuar në Mal të Zi

Shtypi në Podgoricë shkruan sot se grupin e udhëhequr nga ish komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratisllav Dikiq, që u arrestua një natë përpara zgjedhjeve në Mal të Zi, me akuzat për ‘terrorizëm’, e ka lajmëruar në polici një nga anëtarët e grupit, Mirko Velimiroviq, nga Zubin Potoku.

Siç shkruajnë Pobjeda dhe Vijesti e Podgoricës, ky fakt “është i theksuar në urdhërin e prokurorit special, Sasha Çagjenoviq, për fillimin e hetimeve, dhe i cili për përpjekje të kryerjes së veprës së terrorizmit ka ngarkuar përveç Dikiqit edhe Kristina Hristiqin dhe Aleksandar Sinxheliqin për të cilët policia është vënë në ndjekje. Të tjerët ngarkohen me veprën e bashkimit për veprën kriminale”.

Në dokumentin e prokurorisë zbulohet mënyra se si “organet e sigurisë në Mal të Zi kanë parandaluar që Mali i Zi të mbulohet në zi’, shkruan Vijesti.

"Velimiroviq ka ndihmuar në zbulimin e organizatës kriminale”, shkruan në urdhëresën e Çagjenoviqit të cilën e transmeton shtypi malazez.

Dyshohet se detyra e tij “brenda grupit ishte furnizimi me armë, municion, uniformë, bartje të porosive, sigurimi i hapësirave ku do të vendosej dhe deponohej armatimi”.

Velimiroviqi ka zbuluar planin kur, sipas shtypit malazez, siç thuhet, nga Sinxheliqi ka marrë 15 mijë euro me të cilat është dashur “të blejë 50 pushkë automatike dhe tri kuti me municion të cilat do t’i vendoste në një shtëpi që do ta merrte me qera në Podgoricë”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat