Media ruse: Trump dhe Putin do takohen së shpejti në Beograd

Lajme

Media ruse: Trump dhe Putin do takohen së shpejti në Beograd

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 21 janar 2017 Në ora: 18:05
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin

Media e Kremlinit Sputnik ka shkruar për një takim të shpejtë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Enigma e caktimit të qytetit duket se është zgjidhur dhe nuk do jetë as Rekjaviku dhe Vjena, të cilësuara si kryeqytete të vendeve neutrale, por Beogradi, informon botasot.info.

Ndërsa njerëzit e Trump kanë shfaqur si preferencë kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanën, vend për të cilin president i SHBA ka një dobësi të veçantë ngaqë është origjina e gruas së tij, Melanisë, Moska nuk se ka kundërshtuar, por ka sjellë argumentet e saj se përse duhet Beogradi.

Në politikën e jashtme të administratës Trump është shkruar shkurt e qartë qëllimi dhe synimi i diplomacisë trumpiane: “armiqtë e vjetër t’i bëjmë miq dhe miqtë e vjetër t’i bëjmë aleatë”.

Siç bën të ditur Sputnik, vendi i takimit nuk duhet të jetë ndonjë vend që ka përjetuar të ashtëquajturin revolucion me ngjyra, si Ukraina apo republikat e tjera të Lindjes, por në një vend që njihet si influencë e dy palëve apo neutral.

Sipas Moskës, Beogradi është vend ideal pasi nuk është as në NATO e as në një aleancë strategjike ruse; ndonëse tashmë është e ditur fakti i blerjes së armëve ruse nga Serbia dhe zhvillimi i stërvitjeve të përbashkëta prej disa vitesh.

Ish-Presidenti amerikan, George ë. Bush dhe Vladimir Putin, për herë të parë janë takuar pikërisht në Slloveni.

Por Moska thekson se Serbia prej kohësh është një urë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe se ky vend është perfekt sipas Sputnik.

Po ashtu, rusët mbrojnë idenë se Serbia ka jo vetëm përvojë në luftën kundër terrorizmit, por gjithashtu ka shumë për t’i ofruar Perëndimit, dhe që do të jetë një shtyllë e paqes në rajon.

Zhivadin Jovanoviç, ish-shefi i diplomacisë së Jugollavisë, aktualisht një ekspert i portalit Sputnik thekson se gjithçka është shumë e përshtatshme që të jetë Beogradi si vend i takimit.

Ai ka shtuar se nëse Serbia do të pozicionojë veten si një partner i besueshëm siç ka qenë Jugosllavia, atëherë reputacioni i saj do të rritej.

“Ky është roli i Serbisë që ne mbrojmë dhe që duhet të jetë urë mes Lindjes dhe Perëndimit. Serbia ka jo vetëm përvojë në luftën kundër terrorizmit, por gjithashtu ka shumë për t’i ofruar Perëndimit, dhe që do të jetë një shtyllë e paqes në rajon”, tha Jovanoviç.

Nëse lajmi është i vërtetë, kjo pritet të shihet në ditët vijuese, pasi siç tashmë dihet, portalet ruso-serbe janë mjështërit e mashtrimit ashtu siç ndodhi me gjëja intervistën e Donald Trump për median serbe.

Kremlini: Na duhet muaj, jo javë për një takim të tillë

Lajmi kryesor në median e kontrolluar nga Vladimir Putini, Russian Today, është intervista e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov dhënë për BBC, shkruan botasot.info.

“Na duhen muaj dhe jo javë për një takim të tillë,” tha Peskov për një takim të mundshëm mes dy liderëve, por nuk ka përmendur asnjëherë vendin e takimit. “Shpresojmë që kjo të ndodh në muajt vijues.”

Në lidhje me bisedimet mes Trump dhe Putin akoma nuk janë sqaruar detajet por pritet të jetë lufta kundër terrorizmit.
“Putini do telefonojë Trumpin për ti uruar detyrën e re të presidentit. Është protokoll që duhet të kryhet,” vijoi ai më tej. “Mund të diskutojnë edhe për ndonjë takim. Putini është gati,” përfundoi ai./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat