Në Kosovë janë 66 shkolla profesionale me 46 mijë nxënës

Lajme

Në Kosovë janë 66 shkolla profesionale me 46 mijë nxënës

Më: 12 mars 2017 Në ora: 11:32
ilustrim

Në vendin tonë ekzistojnë gjithsej 66 shkolla profesionale, ku vijojnë mësimin 46 mijë nxënës. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se nxënësit e shkollave profesionale kanë aftësi të mjaftueshme, por se mungon një mekanizëm që do t’i maste shkathtësitë e tyre direkt në tregun e punës.

Ndërkaq, në komunën e Prishtinës pohojnë se interesimi për regjistrim në shkollat profesionale është rritur dukshëm dy vitet e fundit dhe se ka pasur raste kur numri i nxënësve është përmbushur qysh në afatin e parë.

Valbona Fetiu- Mjeku, udhëheqëse e arsimit dhe aftësimit profesional në MASHT, për KosovaPress bëri të ditur se në Kosovë janë gjithsej 66 shkolla profesionale.

Fetiu: 66 shkolla profesionale në tërë Kosovën

“Shkollat profesionale shtrihen në gjithë Kosovën dhe janë 66 shkolla profesionale, të nivelit të mesëm të lartë. Në këtë vit shkollor, pra në vitin 2016-2017 kemi 46 mijë nxënës në shkollat profesionale”, tha ajo.

Ajo tha se  nxënësit e shkollave profesionale kanë aftësi të mjaftueshme, por që ajo tha se mungon një mekanizëm që do ti maste shkathtësitë e tyre direkt në tregun e punës.

Fetiu: Nxënësit kanë aftësi të mjaftueshme profesionale

“Nuk është se nxënësit e shkollave të mesme profesionale nuk kanë aftësi të mjaftueshme, mirëpo, na mungon një mekanizëm i cili do të maste shkathtësitë e tyre direkt në tregun e punës në biznesit në të cilin ata punojnë, sepse natyrisht nuk ka edhe burime të mjaftueshme edhe brenda bizneseve që t’i matin këto shkathtësi të nxënësve”, tha Fetiu.

Gjithashtu, udhëheqësja e arsimit dhe aftësimit profesional tha se nxënësit e këtyre shkollave zakonisht gjejnë punë në drejtimet, të cilat e përfundojnë shkollimin e mesëm.

Fetiu: Nxënësit gjejnë punë në drejtimet e tyre

“Kemi 140 profile të fushave të ndryshme, sektorë të ndryshme, profesione të ndryshme ka ngritje në profilet apo sektorët e drejtimeve teknike, në automekanik, për shembull tash kemi një projekt, i cili përkrahet nga qeveria gjermane dhe nxënësit e shkollave “Shtjefën Gjeqovi” në Prishtinë diku 70 për qind e tyre gjejnë punë në këtë drejtim. Por, po ashtu, ka edhe në administratë që gjejnë punë, në drejtime ekonomike, po ashtu, sepse plan-programi edhe pse shpesh quhet si një plan-program i ngarkuar, por me të vërtetë i përgatit këta nxënës mjaftueshëm që të hyjnë në punë, do të thotë në nivelin e tyre në kompani të ndryshme”, tha ajo.

Në Komunën e Prishtinës janë gjithsej 8 shkolla profesionale me mbi 4 mijë nxënës. Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Arbërie Nagavci, për KosovaPress tha se interesimi për regjistrim në shkollat profesionale është rritur dukshëm dy vitet e fundit dhe se ka pasur raste kur numri i nxënësve është përmbushur qysh në afatin e parë.

Nagavci: Viteve të fundit në afatin e parë është plotësuar numri

“Ka pasur vitet e fundit raste që qysh në afatin e parë është plotësuar numri edhe në shkollat profesionale. Në shkollën Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtinë”, kemi të regjistruar gjithsej 1 mijë e 296 nxënës, që janë pothuajse edhe sa gjimnazet shkencore ose ato natyrore, në shkollën “Dr. Ali Sokoli” janë 728 nxënës është plotësisht numri i kompletuar me nxënës, në shkollën “Gjin Gazulli” apo shkollën elektrike po ashtu janë 822 nxënës dhe është numri i plotësuar sipas udhëzimit administrativ. Pak më pak nxënës kemi pasur në shkollën “7 shtatori” dhe mesatarisht më pak në shkollën “Abdyl Frashëri”, por në përgjithësi gjendja është duke u përmirësuar”, tha ajo.

Sipas saj, për punësim të nxënësve varet nga profili i shkollës, pasi që disa shkolla profesionale kërkojnë edhe vazhdim të universitetit.

Nagavci: Sa i përket punësimit varet nga profili i shkollës

“Ndërkaq, sa i përket punësimit të nxënësve pas përfundimit të shkollës varet edhe prej profilit të shkollës, kërkesave të tregut që do të thotë dallon prej shkollës në shkollë. Në disa prej shkollave profesionale nxënësit edhe pas përfundimit të shkollave vazhdojnë studimet universitare, për shembull ka raste nga shkolla e mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”, ose nga shkolla ekonomike që vazhdojnë me studime. Por, ka edhe nxënës të cilët janë të përfshirë menjëherë në tregun e punës, ndërsa në disa prej shkollave, për shembull të shkolla “7 shtatori”, apo profilet kryesisht hoteleri, turizëm, nxënësit punësohen edhe gjatë kryerjes së shkollës, pra të profileve ku ata kryejnë jo vetëm praktikën profesionale, por gjejnë edhe hapësirë për të punuar në biznese të ndryshme, të cilët kanë nevojë për profile që ofrojnë disa prej shkollave profesionale”, tha ajo.

Në shkollën e mesme elektronike “Gjin Gazulli”, në 35 paralele janë gjithsej 886 nxënës. Drejtoresha e kësaj shkollë, Hajrije Shaipi, thotë se tash e dy vite mësimi në këtë shkollë organizohet në kabinete që sipas saj është treguar shumë më e suksesshme.

Shaipi: Mësimi organizohet në kabinete

“Si degë është elektroteknika, mirëpo pastaj kjo ndahet në profile të veçanta në kuadër të këtij lëmi, kemi informatikën, telekomunikacionin, instalimin elektrik, pajisje të zyrave, elektronikë industriale dhe energjetikën. Në të gjitha këto profile janë gjithsej 886 nxënës të shpërndarë në 35 paralele. Punohet në dy ndërrime, ndërrimi i parë dhe i dytë dhe funksionojmë në formën kabinetore. Ka dy vite që nuk i kemi ato klasat klasike që i kemi pasur përpara, ka dy vite që çdo lëndë e ka kabinetin e vet dhe në një mënyrë është treguar shumë më e suksesshme”, tha ajo.

Drejtoresha e kësaj shkollë thotë se viteve të fundit në këtë shkollë ka ngritje të vogël të interesimit të vajzave për profilet që i ofron shkolla.

Shaipi: Dominojnë meshkujt

“Si gjithkund në shkolla profesionale dominon gjinia mashkullore edhe pse viteve të fundit ka një ngritje të vogël të interesimit të vajzave për këto profile që i kemi, më pak ka interesim për energjetikën dhe për instalime elektrike, i shohin si profile të gjinisë mashkullore. Mirëpo, kemi edhe aty vajza që vërtet e kanë dëshmuar veten gjatë organizimit të praktikës profesionale”, tha ajo.

Sipas drejtoreshës së shkollës “Gjin Gazulli”, shkolla profesionale pa praktikë është zero. Ajo tha se viteve të fundit është arritur një bashkëpunim me kompani të ndryshme për të realizuar praktikën profesionale dhe në këtë mënyrë ta plotësojnë boshllëkun që e kanë në shkollë.

Për Pines Ajetin, nxënës në këtë shkollë në drejtimin e informatikës, arsyeja se pse e ka zgjedhur këtë drejtim, sipas tij, është se teknologjia po avancon çdo ditë.

Ajeti: Arsyeja është se teknologjia po avancon çdo ditë

“Arsyeja është se tash pasi edhe teknologjia po avancon çdo ditë dhe më ka pëlqyer gjithë, kam pas qejf për kompjuterë dhe kështu që kam pas dëshirë të vij në këtë shkollë, pasi që është edhe shkolla, drejtimi informatikë. Mundësitë në këtë shkollë nuk janë shumë të mëdha, por janë të mjaftueshme sa për me mësua siç duhet”, tha ai.

Donisa Ademi, nxënëse, tha se shkolla në të cilën ajo vijon mësimet nuk i ofron shumë mundësi.

Ademi: Shkolla nuk ofron shumë mundësi

“Nuk ofron edhe shumë mundësi mjaftueshëm veç mirë është”, tha ajo.

Por që ndryshe mendon Arjan Martini, i cili thotë se shkolla “Gjin Gazulli” ofron mundësi të mjaftueshme sa i përket njohurive të para.

“Nuk janë mundësitë shumë të mëdha, por janë mjaftueshëm sa me i marrë njohuritë e para rreth programimit ose ueb faqes”, tha ai.

Ndryshe, shkolla profesionale ka në të gjitha komunat e Kosovës, ku janë gjithsej 66 shkolla profesionale. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat