Kërkoni punësim në Suedi, ja si të aplikoni

Lajme

Kërkoni punësim në Suedi, ja si të aplikoni

Më: 9 prill 2017 Në ora: 11:09
ilustrim

Samia Alassin, 41 vjeçe, refugjate palestineze në Siri, pas muajsh rropatje nga Siria në Liban dhe anasjelltas, fundi i vitit 2015 e gjeti në një kamp në Damask. Për 10 ditë qëndroi pa ushqim në këtë kamp, ku pa tmerrin me sy, teksa njerëzit vdisnin nga uria dhe nga bombat e luftës, që kishte filluar. Së bashku me të ëmën kaluan kufirin drejt Turqisë. Pasi qëndroi një vit në kampet e Turqisë, Samia nisi rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm përmes Europës, pa të ëmën, e cila nuk mund ta përballonte këtë rrugë të gjatë. Nga Turqia me gomone u nis drejt Greqisë. Për 20 ditë kaloi me këmbë ose me tren përmes Greqisë, Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë, Austrisë për të mbërritur në Gjermani. Nga aty fluturoi si azilante në Suedi ku jeton edhe sot.

Jeta e Samias ka ndryshuar tërësisht. Ajo jeton në Nacka, një komunë në periferi të Stokholmit, bashkia e së cilës ka ndërtuar një godinë me apartamente të vogla për emigrantët. Samia, e cila është arkitekte dhe këtë profesion e ka ushtruar për 12 vjet në Damask, po integrohet me shpejtësi, me ndihmën edhe të punonjësve të Bashkisë së Nacka, por edhe të komunitetit, që është dashamirës me emigrantët. “Ky është një vend me klimë të ftohtë, por me njerëz me zemra të ngrohta”, thotë ajo, me një mirënjohje që dallohet qartë në fytyrën e saj.

Shadrak Iluba Christofer, 21 vjeç, jeton në Komunën e Nacka prej pesë muajsh, pasi erdhi së bashku me mamanë, tre motrat dhe dy vëllezërit dhe dy nipërit, përmes kuotave të emigracionit të Kombeve të Bashkuara. Ai shkon në shkollë, ka filluar të mësojë suedisht dhe shpreson që të ndjekë pasionin e tij dhe një ditë të bëhet mësues matematike.

Ana Gezelius, i cili punon në grupin e punës së Komunës së Nacka që mirëpret të ardhurit e rinj në Komunë, thotë se vitin e kaluar erdhën 370 emigrantë në këtë komunë. Komuna ka një program integrues, ku emigrantët mësojnë gjuhën suedeze, trajnohen për profesione të ndryshme. Ky proces zgjat dy vjet dhe pas kësaj periudhe ata duhet të jenë të gatshëm të gjejnë një punë, ose të ndjekin një shkollë. Nuk mungojnë as vullnetarët, që janë aktivisht të përfshirë për t’ua bërë sa më të lehtë integrimin e emigrantëve.

Samia dhe Shadraku i treguan historitë e tyre të dhimbshme në një takim me 12 gazetarë nga vende të ndryshme të Europës, në kuadër të programit “Përqasja suedeze ndaj sfidave të migrimit”, i organizuar nga Instituti Suedez (SI) një agjenci publike që promovon interesat dhe besimin e Suedisë nëpër botë.

Suedia ka një histori të gjatë me emigracionin pritës, që nga vitet 1800, kur erdhën tregtarët gjermanë, e më pas finlandezët, belgët dhe vazhdoi dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas. Në periudhën midis 1980-1999, suedezët panë një imigracion të lartë nga vende si Iraku, Irani, Libia, Siria, Turqia, Somalia, si dhe nga vendet e Amerikës Jugore, me regjime shtypëse.
Pasi Suedia hyri në Schengen në vitin 2001, kjo solli hapje të kufijve mes vendit dhe Bashkimit Europian (BE) dhe një fluks të qytetarëve të tjerë të BE-së, që kërkonin punë. Migracioni në total – drejt dhe nga Suedia – u rrit pas viteve 2000.

Pothuajse 29,000 persona nga shtetet jashtë BE-së dhe Zonës Europiane Ekonomike (EEA) u zhvendosën në Suedi gjatë viteve 2000. Drejtori i njësisë së shtypit në Agjencinë Suedeze të Migracionit, thotë: “Në Europë, Suedia është një destinacion kyç dhe një vend pritës për azilkërkuesit”.
Por, vendi u përball me një krizë të jashtëzakonshme në gjysmën e dytë të vitit 2015, thotë Emma Randecker, ëeb editor në Institutin Slloven. Numri i azilkërkuesve u rrit dramatikisht në 163 mijë në vitin 2015, teksa konfliktet në Lindjen e Mesme bënë që shumë njerëz të iknin nga lufta dhe vdekja dhe të nisnin një rrugëtim të gjatë përmes Europës. Në shtator të vitit 2015 kishte më shumë se 10 mijë azilkërkues në javë.

Shadrak Iluba2Rritja e lartë e numrit të azilkërkuesve në vitin 2015 detyroi qeverinë suedeze që të merrte disa masa për ta frenuar atë, thotë Emma Randecker. Në mënyrë që të ishte në gjendje të ofronte mbështetje për ata që janë tashmë në vend, qeveria suedeze mori disa masa për të kufizuar emigracionin pas kulmit të vitit 2015. Në fund të atij viti, u forcuan kontrollet kufitare, duke e bërë të vështirë hyrjen në Suedi pa një pasaportë të vlefshme, ose dokument tjetër identifikimi.

Në qershor të vitit 2016, Parlamenti suedez miratoi ndryshimet legjislative për azilkërkuesit, duke e bërë të vështirë për të marrë një leje qëndrimi dhe për t’u ribashkuar me familjen. Ndryshimet e politikave të Suedisë erdhën pjesërisht për shkak të faktit se shumica e vendeve të tjera të BE-së kanë dështuar të marrin pjesën e tyre të refugjatëve, për të cilën kishin rënë dakord.
Në vazhdën e luftës civile në Siri, Suedia ka mirëpritur më shumë refugjatë se çdo vend tjetër europian në raport me popullsinë e saj – dhe kjo ka lënë gjurmën e saj në pjesë të shoqërisë.

Ylva Johansson, ministrja e Suedisë për Punësimin dhe koordinator i punës së qeverisë me refugjatët, komentoi mbi situatën në fillim të vitit 2016: “Kjo rritje e paparë e popullsisë ka rezultuar në një mungesë të burimeve praktike, nga strehim në shkolla për kujdesin shëndetësor. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund të vazhdojmë të kemi një numër të madh të njerëzve që vijnë këtu vit pas viti – kjo po kufizon sistemin tonë”.

Në vitin 2016, numri i azilkërkuesve ra ndjeshëm në 29 mijë, kryesisht si rrjedhojë e ndryshimeve legjislative, të miratuara më 24 nëntor 2015. Sipas tyre, Suedia nuk jep më leje të përhershme, por të përkohshme për të gjithë ata që kanë nevojë, me përjashtim të kuotave të refugjatëve. Emigrantëve u jepet një leje qëndrimi për tre vjet dhe mbrojtje me subvencion për 1 vit. U kufizuan të drejtat për ribashkimin e familjeve, ku refugjatët me leje të përkohshme nuk mund të tërhiqnin anëtarët e bërthamës së familjes.

Sulmi me kamion

Solidariteti ishte i dukshëm dhe pas sulmit me kamion në një qendër tregtare në rrugët e Stokholmit dy ditë më parë, me katër viktima, një ngjarje që shokoi vendin.  “Reagimi solidar ndaj sulmit terrorist është mahnitës: njerëzit po hapin shtëpitë e tyre dhe zyrat për të ndihmuar njerëzit që kanë ngecur në qendër të qytetit, pa pasur mundësi që të shkojnë në shtëpi, të tjerë që po i shoqërojnë ata me makinë për në shtëpi dhe shumë doktorë dhe infermierë, që nuk janë në detyrë, po ofrojnë ndihmën e tyre në spitalin më të afërt. Kjo është Suedia, një shtet i hapur dhe solidar dhe asnjë terrorist apo mendje e keqe nuk do të fitojë ndonjëherë” , shkruan në faqen e saj të facebook, Livia Podesta, nga Instituti Suedez, që shoqëroi gazetarët nga Europa gjatë udhëtimit të tyre pak ditë para se të ndodhte kjo ngjarje e rëndë.

Minorenët e pashoqëruar

Një sfidë e veçantë në kulmin e emigracionit ishte fakti që 35,000 azilkërkues “minorenë të pashoqëruar”, arritën në Suedi pa prindërit ose një kujdestar ligjor. Katër nga 10 fëmijë të pashoqëruar në BE dorëzuan aplikimet e tyre në Suedi.
Një të tillë e takojmë në zyrat e Institutit Slloven. Muniri është 17 vjeç dhe tregon se ka ikur i vetëm nga Afganistani përmes Sirisë në vitin 2015, drejt Turqisë e Greqisë me gomone. Muniri thotë se ka kaluar i vetëm 13 shtete, teksa iku se në vendin e tij nuk ka siguri. Sot ai po mëson gjuhën suedeze dhe dëshiron që të bëhet polic.
Në vitin 2016, Agjencia Suedeze e Migracionit u dha azil 6,853 minorenëve të pashoqëruar.

Mbështetja që jepet për azilkërkuesit

Suedia duhet t’u ofrojë azilkërkuesve strehim, të siguruar nga Agjencia e Migracionit të Suedisë apo një aktor privat. Akomodimi po bëhet më i vështirë, që nga viti 2015, duke bërë që Agjencia e Migracionit të mos kishte zgjidhje tjetër veçse të linte njerëzit të flenë në tenda për disa ditë.
Nëse një personi i është dhënë një leje qëndrimi për refugjat, Komunat suedeze janë të kërkuara nga ligji për të siguruar strehim për atë person. Ky ndryshim ligjor që është në fuqi nga data 1 mars 2016 pritet të lirojë deri në rreth 10,000 vende për azilkërkuesit në mjediset e strehimit të Agjencisë së Migracionit.

Jan-Eric Jansson, këshilltar në Komunën e Nacka, në periferi të Stokholmit, thotë se vitin e kaluar, ata morën orientim nga qeveria që të ndihmonin emigrantët të integroheshin. Ai pohon se kur filluan të ndërtonin banesat kishte reagime shumë negative nga një pjesë e komunitetit dhe mori dhe email-e kërcënuese. Kishte suedezë që ankoheshin që ata ishin të rinj dhe donin të jetonin më vete dhe nuk mundeshin se një shtëpi në Suedi nuk është lehtësisht e disponueshme, teksa qeveria po u siguronte shtëpi emigrantëve dhe jo vendasve. “Ju nuk do të mund të jetonit në një shtëpi të vogël, bashkë me një sirian”, ishte përgjigjja që u dha ai. Eric Jansson thotë se pavarësisht kundërshtimeve fillestare, 90% e banorëve ishin mbështetës. Nuk mund t’u thoshim jo njerëzve që janë të dëshpëruar dhe kanë ikur nga lufta, nuk mund të mos ishim të hapur, argumenton Jansson:

“Nëse i thoni jo çdo emigranti dhe i lini të vdisni, diçka po ndodh në zemrat tuaja”.

Integrim përmes…

Pavarësisht se suedezët natyrisht kanë pikëpamje të ndryshme mbi fluksin rekord të emigrantëve, ata janë në përgjithësi më pozitivë ndaj emigracionit sesa vendet e tjera të BE-së. Sipas një studimi të Eurobarometer që i përket dhjetorit 2016, 64% e suedezëve janë pozitivë për emigracionin e njerëzve nga jashtë BE-së krahasuar me një mesatare të BE-së prej 37%.

Kjo frymë pozitive ndihet kudo, teksa vendasit përpiqen në çdo mënyrë që t’i bëjnë emigrantët të ndihen si në shtëpinë e tyre. Femrat suedeze, por dhe ato të huaja, janë organizuar në fondacione të ndryshme, në përpjekje për të eliminuar barrierat mes vendasve dhe të sapoardhurve. Duke u angazhuar falas, ato e mundësojnë këtë integrim përmes programeve të përbashkëta për fëmijët, darkave të kombinuara mes emigrantëve dhe suedezëve për të takuar të huajt e sapoardhur, krijimin e rrjeteve të njohjes për të lehtësuar gjetjen e një pune etj.

Në Axfoundation takohemi me disa zonja që tregojnë për punën e tyre. Maureen Hoppers, drejtoreshë komunikimi në Axfoundation, thotë se është më e lehtë të përpiqesh të integrosh të huajt se anasjelltas. “Nuk mund të ndryshojmë ligjet, por mund të krijojmë mundësi për njerëzit të ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Karolina dhe Hanan punojnë së bashku me projektin “Suedisht me fëmijët”, duke bashkuar prindërit dhe fëmijët e tyre me prejardhje të ndryshme. Pegah Afsharian ka themeluar organizatën “Shokë Suedezë” që mundëson takimin e individëve.
Ebba Akerman dhe Lina Masko kanë projektin “Ftesa e përbashkët”, që mundëson organizimin e darkave të përbashkët mes suedezëve dhe të ardhurve të rinj. Ebba ka qenë mësuese në Siri dhe dy vjet më parë u largua së bashku me familjen për shkak të shpërthimit të krizës atje. Ajo tashmë ndihet si në shtëpi dhe thotë se dy djemtë po studiojnë dhe njëri prej tyre do të vazhdojë të ndjekë ëndrrën për t’u bërë doktor.

Livstycked, një organizatë jofitimprurëse në periferi të Stokholmit, është një qendër design për femrat emigrante nga e gjithë bota, që aplikojnë pedagogji funksionale në aktivitetet artistike. Designerat suedezë u mësojnë teknikat pjesëmarrësve, që ndërsa mësojnë procesin gjithashtu praktikojnë gjuhën suedeze dhe integrohen në shoqërinë e vendit. Fondacioni u krijua nga Birgitta Notlof 25 vjet më parë. Ajo kujton se në vitin 2007 u kërkoi emigrantëve që të vizatonin çantat që ato merrnin kur linin pas vendet e krizës dhe krijoi me to copa që më pas u materializuan në çanta reale.

“Këto janë domethënëse edhe sot, sidomos pas vitit 2015, teksa simbolizojnë të gjithë jetën në një çantë”, tregon ajo. “Ato mund të ndihmojnë që njerëzit të jenë mendjehapur për të krijuar një jetë më të mirë”. Birgitta ka fituar çmime të ndryshme për punën e saj, teksa Komisioni Europian i ka kërkuar të drejtën të përdorë çantat e dizenjuara nga femrat emigrante për të përhapur mesazhin që ato sjellin.

Nuk mungojnë as grupet e urrejtjes

Kur në vjeshtën e 2015 vërshuan emigrantët përmes rrugës së Ballkanit, mbështetja e fortë e medias dhe e publikut nuk mungoi.

Maja Dahl, drejtore komunikimi në organizatën “Arena Ide”, thotë se për herë të parë në atë kohë, mediat bënë fushatë, gjë që nuk është e zakonshme për një media në Suedi. Personazhet e njohura ndanë mesazhe mbështetëse nëpër rrjetet sociale, duke u shprehur se duhet të tregohej solidaritet me këta njerëz që po i iknin luftës dhe tmerrit.

Mediat, thotë ajo, shkruajnë për aspektet negative dhe pozitive të emigracionit, por gjithsesi zëri i azilkërkuesve nuk dëgjohet dhe nuk transmetohet sa duhet.

Por, ka dhe disa faqe interneti, që njihen si sitet e urrejtjes, që shkruajnë kundër emigrantëve. Maja tregon dhe mënyrën si identifikohen këto shkrime dhe faqe interneti. Ato përgjithësisht shkruajnë rreth krimit dhe imigracionit, publikojnë kombësinë e të dyshuarit, rrallë kanë emrin e autorit, lejojnë që të bëhen komente që shprehin urrejtje, pretendojnë që thonë të vërtetën si dhe kanë simbole ekstremiste të djathta.
Oskar Adenfelt nga Fores (Forumi për Reformat, Sipërmarrjen dhe Qëndrueshmërinë) thotë se në mënyrë që të kufizojnë gjuhën e urrejtjes, ata punojnë aktivisht në Facebook dhe përmes email, i përgjigjen çdo pyetjeje dhe ndjekin parimin që transparenca është kyçe.

Në Policinë e Stokholmit ka një njësi për krimet e urrejtjes. Varg Gyllander, oficer komunikimi, pranon se ka pasur një rritje të krimeve të urrejtjes kundër emigrantëve vitet e fundit, por shifrat mbeten ende të ulëta.

“Kryesisht kemi pasur të bëjmë me njerëz që përdorin shenja, nuk kanë qenë krime të dhunshme”. Janë konstatuar dhe rritje të zjarreve në disa kampe, por arsyet mbeten ende të pasqaruara. Problem, thotë ai, po bëhen fëmijët e pashoqëruar, për të cilët nuk arrijmë të marrim vesh as nga vijnë, as identitetin e saktë dhe as moshën.
Të dhënat tregojnë se dhe për emigrantët nuk ka qenë e lehtë. Sipas statistikave të Bordit Kombëtar të Shëndetit dhe Mirëqenies në periudhën 2016-2017 janë regjistruar 68 tentativa për vetëvrasje mes të rinjve emigrantë.

Shqiptarët, azilkërkues dhe në Suedi, por ata nuk ikin nga lufta…

Në muajt e parë të 2017-s, Bordi Suedez i Migracionit në Suedi ka marrë rreth 8200 vendime për azilkërkuesit, 49% e të cilave janë pranuar. Azilkërkuesit më të mëdhenj janë Afganistani, Siria dhe Iraku.

Nga Shqipëria rezultojnë të jenë marrë 84 vendime, nga të cilët janë pranuar vetëm 2, një përqindje shumë e vogël në raport me mesataren e aplikimeve. Aleksandra Sefenstedt, avokate në Kryqin e Kuq pranon se vendet e Ballkanit kanë një nivel të lartë refuzimi. “Suedia nuk ka një listë të vendeve të sigurta, megjithatë shtetet ballkanike konsiderohen si të tilla”, thotë ajo.

Nga Europa, kërkesat nga Shqipëria dominojnë. Në vitin 2015, kur kulmoi vala e emigracionit, nga Shqipëria në Suedi kishte 2615 kërkesa për azil, në vendin e tetë pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Somalisë e shteteve të tjera që i ikin luftës e konflikteve. Menjëherë pas Shqipërisë renditej Kosova, me rreth 1800 aplikime.

Mund të aplikohet edhe për punë

Ndërsa ka pak shanse që Suedia të pranojë azilantë nga Shqipëri, mundësia tjetër është përmes aplikimit për punë. Instituti Suedez publikon në faqen e tij disa këshilla të dobishme që do të lehtësojnë kërkimin për punë dhe zhvendosjen në Suedi.

Se si duhet të aplikoni për një punë në Suedi varet nga industritë. Përgjithësisht dërgoni një CV dhe një letër motivimi në mënyrë elektronike – kompania më pas do të përzgjedhë aplikantët që do të intervistohen. CV duhet të jetë një deri në dy faqe e gjatë dhe të përfshijë një pasqyrë të përvojës së punës tuaj, studime, arritjet apo çmime, aftësi të veçanta dhe referencat.

Nëse ju aplikoni për një punë në Suedi nga jashtë, intervista juaj e parë mund të bëhet me anë të telefonit ose video-konference (p.sh., Skype), ose mund të ftoheni në vend.

Gjatë intervistës, punëdhënësi duhet t’ju njoftojë se cila do të jetë pjesa tjetër e procesit të rekrutimit. Në varësi të fushës dhe llojin e pozicionit mund të duhen disa intervista ose plotësimi i një testi.
Pas intervistës tuaj, punëdhënësi do të lidhet me ju për t’ju vënë në dijeni nëse jeni zgjedhur për këtë punë. Pasi të keni një ofertë pune, hapat e ardhshëm do të varen nga kombësia.

Përgjithësisht qytetarët nga vendet jashtë BE-së kanë nevojë për një leje pune për të punuar në Suedi. Që të kualifikoheni për një letër pune duhet të merrni një ofertë nga një punëdhënës suedez. Përgjithësisht duhet të aplikoni për leje përpara se të hyni në Suedi.
Agjencia e Migracionit e merr në konsideratë aplikimin dhe ju informon për vendimin. Më pas dorëzohen të dhënat për vizën dhe lejen e qëndrimit.

Suedia ka dhënë rreth 13 mijë leje pune në total për vitin 2015. Profesionet që kërkohen më shumë dhe për të cilat Agjencia e Migracionit ka dhënë lejet e punësimit janë specialistë, teknikë dhe profesione të lidhura me të, shërbime, kujdes dhe shitje si dhe profesione menaxheriale etj.

Për shqiptarët, sipas të dhënave nga Agjencia Suedeze e Migracionit kanë dhënë gjithsej 52 leje pune, kryesisht për punonjës shtëpie dhe staf restoranti./Monitor

 
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat