Bujanoc: Po vijnë mërgimtarët!

Lajme

Bujanoc: Po vijnë mërgimtarët!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 18 korrik 2017 Në ora: 08:31
Po vijnë mërgimtarët

Java e dytë e korrikut, ka shtuar rradhët e automjeteve, në pikë-kalimin kufitar te Dheu i Bardhë, kufiri shtetëror Kosovë-Serbi, si rrjedhojë e një fluksi të madh të ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje.

Bujanoci, është një komunë karakteristike e rajonit të Luginës së Preshevës, përmes së cilës kajonë mërgimtarë të shumtë nga perëndimi për në Kosovë. “Rruga e Gjilanit”, që lidh natyrshëm Bujanocin me komunat e brezit kufitarë me Kosovën, gjatë sezonit veror, i përngjanë një metropoli të vërtetë.

Kolona të shumta të automjeteve hyjnë e dalin nëpër Bujanoc, duke shkaktuar rradhë të gjata të automjeteve, të cilat me orë të gjata presin për të hyrë në Kosovë.

Image

Mirë se vini mërgimtarë!

Në rreth-rrotullimin e hyrjes për në qytetin e Bujanocit, të kap syri një reklamë tashmë tradicionale me mbishkrimin: Mirë se vini mërgimtarë!

Me ardhjen e mërgimtarëve, mbushen rrugët, trotuaret, sheshet me njerëz dhe makina. Ata vijnë nga diaspora, për çdo vjet, për tu çmallur me të dashurit e tyre.

Sheshi i Bujanocit, i rregulluar për mrekulli, vlon nga vizitorët e shumtë, të cilët me të afërmit e tyre, dalin në takime të përmallshme familjare e shoqërore.

Kjo ndjesi dashurie në mes mërgimtarëve dhe familjarëve të tyre, në Bujanoc dhe rrethinë, reflektohet me një varg aktivitetesh të tipit të ahengjeve familjare, dasmave dhe gazmendeve të ndryshme, të cilat zgjasin deri sa të qëndrojnë ata në vendlindje.

Mërgimtarët, kjo kategori më vitale e shoqërisë sonë, të cilët përkohësisht punojnë dhe veprojnë jashtë Luginës së Preshevës, asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre të lindjes. Ata pa dashjen e tyre u larguan për në kurbet, për të siguruar kafshatën e gojës për veten dhe familjarët e tyre, në fillim si punëtorë krahu e tani edhe si mjekë, profesorë, afaristë e diplomatë. 

Malli për vendlindjen

Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, thjesht, nuk lidhet vetëm me sezonin e pushimeve verore, ata vijnë edhe gjatë festave, nacionale e fetare. Vijnë ngase ndjejnë në shpirt dhe zemër mall për vendilindjn, për të dashurit e tyre, për plang e shtëpi, për varret e të parëve. Ata sjellin me vete dhurata të ndyshme e mbi të gjitha dashurinë e pafund për të gjallët dhe të vdekurit. Ardhja e tyre sjell freski dhe mirësi në çdo këndë të Luginës së Preshevës, duke i zbukuruar e madhështuar sheshet, rrugët, trotuaret. Kudo në restorante, ambiente të hapura dhe të mbyllura familjare gjallëron kënga, muhabeti dhe dashuria miqësore.

Gjatë këtij sezoni veror, në praninë e mërgimtarëve, do të organizohen me dhjetra e qindra dasma, fejesa, syneti e ahengje te tjera shqiptare. Korriku dhe gushti, janë muajtë e mërgimtarëve në Luginë të Preshevës, të cilët në kalendarin vjetor, shënohen si muaj më atraktiv të vitit.

Dita e mërgimtarëve

Komuna e Bujanocit, për respektin, që ushqen për mërgimtarët, ka shpallur 1 gushtin “Ditën e Mërgimtarëve”, ndërsa përmes Pallatit të Kulturës, do të organizoj verën kulturore, tradicionale, me këngë, valle e manifestime të ndryshme kulturore e artistike, duke e kthyer këtë qytet në një festë të vërtetë. Gjithashtu, administrata komunale, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, që mërgmitarët, të priten në mënyrën më profesionale, duke krijuar ambiente të këndshme miqësore, në mënyër, që ata të ndihen në vendlindje sa më komod.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat