Historia e atyre që morën viza pune në Gjermani: Të dëshpëruar deri në fund

Lajme

Historia e atyre që morën viza pune në Gjermani: Të dëshpëruar deri në fund

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 12:25
ilustrim

Arsyeja e kësaj janë historitë dhe përvojat e shumta të cilat shumë ballkanas i tregojnë se si u zhgënjyen me jetën në Gjermani, pas marrjes së vizave të punës dhe fillimit të një jete të re, në vendin e ëndrrave të tyre.

Mediat në Bosnje raportojnë se përderisa disa janë shumë të kënaqur, të tjerët thonë se ky ka qenë hapi më i keq që kanë bërë në jetë.

Në fakt ka shumë informacione dhe asnjëri nuk është aq i zi dhe aq i bardhë. Në mesin e atyre që kanë shkuar është edhe Alisa Kekic.

“Dhashë dorëheqje nga puna, e kam çregjistruar shtëpinë, i kam futur të gjitha gjërat në veturë dhe drejt e për Gjermani. Shkova në Hailbronn, një qytet më 100 mijë banorë, jo larg Stuttgartit. Asnjëherë më herët nuk pata dëgjuar për këtë vend dhe as që kam pasur idenë se çka do të më pret. Hailbronn është njëri nga qytetet e Baden- Wurttemberg, një ndër rajonet më të pasura të Gjermanisë, e njohur ndryshe si qendra e industrisë së automobilizmit. Duhet të pranoj se unë preferoj veçoritë e tjera të këtij rajoni dhe verëra të shijshme dhe vreshta që shtrihen midis qyteteve”, tregon Alisa e cila është magjistre e politologjisë, transmeton Gazetametro.net.

“Çka po bëj unë? Cili në fakt është plani im?”, me ka kaluar gjithmonë nëpër kokë. E vërteta është se unë nuk kam pasur ndonjë plan. Vetëm kam dashur të shkoj për një periudhë, të largohem nga ai negativitet që na rrethonte, dhe t'i jap vetes mundësi të hulumtoj se a ka diçka më të mirë se kjo”, e tregon ajo përvojën e saj.

Shumë shpejt ka njohur një njeri i cili e ka braktisur Bosnjën dhe ka shkuar në mërgim.

“Ku do të gjesh një boshnjak? Kuptohet se në Gjermani”, e thotë me të qeshur ajo.
“Këtu gjithçka sillet rreth punës. Punë, punë, punë dhe vetëm punë. Janë shumë punëtorë dhe kursimtarë. Në fakt edhe ata ankohen, ankohen për atë që gjithmonë mundet më mirë. Nëse treni të vonohet një minutë do të dëgjoni një mallkim dhe psherëtimë, shikojnë orën dhe kthejnë kokën në një shenjë mosmiratimi. Nëse marrin rritje në rrogë nuk gëzohen edhe aq shumë, nëse marrin pushim nuk gëzohen, sepse thonë që gjithmonë mundet më shumë”.

Në pyetjen se a mendon të kthehesh dhe a të mungon Bosnja, ajo u përgjigj:
“Jam mirë këtu. Nganjëherë më mungon vendlindja, ajo kuptohet, por sa herë që shkoj e kuptoj që nuk kam humbur asgjë. Në fakt janë të shumtë njerëzit të cilët mendojnë të vijnë në Gjermani dhe të gjejnë një punë. Më mungon grupi, sepse është i vetmi minus këtu”, thotë ajo.

Alisa, megjithatë, thotë se gjithmonë konsiderohesh një qytetar i dorës së dytë në një vend të huaj.

“Nevojitet që njeriu të ambientohet, të asimilohet, të mësojë gjuhën, të njohë njerëz të rinj, të mësohet se si funksionon sistemi. E gjitha kjo kërkon djersë dhe kohë. Këtu punohet shumë, nuk ka të shikosh nga muri fqinjët. Disa gjëra janë shumë më të vështira sesa te ne. Por më duket se në fund merr aq sa ke mundur të japësh. Kjo për mua është në rregull”, ka përmbyllur Alisa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat