Kërkohet zgjerimi i bashkëpunimit rajonal në sferën e sigurisë

Lajme

Kërkohet zgjerimi i bashkëpunimit rajonal në sferën e sigurisë

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 18:29
Pamje nga konferenca

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, në adresimin e tij në kuadër të konferencës “SHBA-Karta e Adriatikut(A5)” në Shkup, theksoi nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit në nivel të rajonit, me qëllim të rritjes së shkëmbimit të përvojave në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjeneral Rama dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jefry Fischer zhvilluan takim të përbashkët me zëvendës komandantin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë (EUCOM), gjenerallejtënant Timothy M. Ray, ku u diskutua për mundësinë e zgjerimit të aktiviteteve të përbashkëta.

Me këtë rast, gjeneral Rama e njoftoi gjeneralin Ray me zhvillimin profesional të FSK-së, integrimin e komunitetit jo shumicë, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gardën Kombëtare të Ajovës të SHBA-ve si dhe me sfidat dhe rrugën përpara që ka FSK-ja.

Gjenerallejtënant Rama gjithashtu pati  takime bilaterale me shefat e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, dhe drejtorin e Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Kroate, kundër-admiralin Robert Hranj, me të cilët u pajtuan për krijimin e mundësive më të mëdha në shkëmbimin e përvojave në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe bilateral.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat