Shkolla ku japin mësim anëtarë të dy familjeve

Lajme

Shkolla ku japin mësim anëtarë të dy familjeve

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 10:35
Shkolla “Gafurr Luma” në Glloboçicë të Kaçanik

Shkolla “Gafurr Luma” në Glloboçicë të Kaçanikut gati të gjithë punonjësit i ka të afërm mes vete.

Gjysma e shkollës “Gafurr Luma” në fshatin Glloboçicë të Kaçanikut mund të mos punojë nëse anëtarëve të familjeve Ceka ose Luma u ndodhë ndonjë e papritur që mund t’i pengojë të shkojnë në punë.

Stafi i kësaj shkolle që u jep mësim 170 nxënësve të fshatit kufitar me Maqedoninë, bashkë me drejtorin e saj kanë ose mbiemrin Ceka, ose Luma dhe mes vete janë në lidhje familjare.

Përjashtim bën vetëm një punonjës i shkollës që ka emër e mbiemër tjetër nga ata që punojnë këtu.

Drejtori Afet Ceka që “trashëgoi” në këtë pozitë vëllain e tij pas pensionimit, e pranon se në shkollë punon edhe djali, nipi dhe një vëlla tjetër i tij.

“Gëzimi është djali im, profesor i historisë. Liridoni është i mësimit klasor. E kam djalë të vëllait, Refetin e kam vëlla, është profesor i teknologjisë informative”, tregon për Kallxo drejtori Ceka.

Ai thotë se të afërmit e tij janë pranuar me konkurs dhe i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Drejtori Ceka tregon edhe për të punësuarit e familjes Luma në shkollën e Glloboçicës.

“Shife, këtu dominojnë dy familje- Luma dhe Ceka, kemi edhe bashkëshortë që punojnë bashkë, sepse janë familje e shkolluar. Irfan Luma, Sabrie Luma janë bashkëshortë. Nurie Luma, është mësimdhënëse që punon këtu, është edhe Remzie Luma. Nuria është vjehërr e Remzisë”, tha Ceka.

Drejtori mohoi kur foli  se në shkollën e Glloboçicës bëhet fjalë për familjarizim.

“Ju kur aludoni në familjarizëm, unë nuk mund të them familjarizëm, sepse konkursi- konkurs, është i barabartë për të gjithë dhe në konkurs marrin pjesë krejt, ai që i plotëson kushtet ai zgjidhet në vendin e caktuar për mësimdhënës”, tha drejtori Ceka.

Ai refuzoi të japë kontaktet e arsimtarëve të familjes Luma me arsyetimin se mësimdhënësit duhet të mos përzihen në këtë çështje.

Drejtori tregoi se djali i tij Gëzim Ceka është punësuar në Shkollën e Glloboçicës vetëm pasi ka kryer fakultetin, ndërsa e pranoi se ka punuar edhe pa shkollim të lartë.

“Shife Gëzimi (djali )derisa nuk ka qenë i kualifikuar ka punuar në Elezaj si mësimdhënës. Nuk ka mundur të vijë këtu pa e kryer fakultetin”, tha Ceka.

Shkolla në Glloboçicë përveç nepotizmit, problem e ka edhe enterierin. Nuk është ndërruar asgjë në 7 vjetët e fundit, ndërsa ambientet nxehen me stufa e dru.

Ministria e Arsimit ka ndarë mjete për ndërtimin e shkollës së re në Glloboçicë dhe ajo pritet të hapet në vitin 2018./Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat