Vëllai i kamikazit Podvorica akuzohet për propagandë në “Facebook” me ISIS

Lajme

Vëllai i kamikazit Podvorica akuzohet për propagandë në “Facebook” me ISIS

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 19:03
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji të dyshuarit për propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS” në rrjetin social “Facebook”.

Kreshnik Podvorica po dyshohet për kryerjen e veprës penale bashkim dhe pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Bëhet e ditur se Kreshniku është vëllai i 29 vjeçit tani më të ndjerë, Blerim Podvorica, i cili disa muaj më parë u raportua se vrau veten me veturën e tij të mbushur me eksploziv, ku edhe sulmoi një turmë ushtarësh të Assadit në Tedmur të qytetit perëndimor të Sirisë, Homs.

Prokurori special para se t’i caktohej paraburgimi ka deklaruar para Gjykatës se më 21 nëntor të këtij viti kanë filluar hetimet ndaj të pandehurit Kreshnik Podvorica me dyshimin e arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, veprime këto të cilat mbështeten në provat materiale të marra gjatë bastisjes.

Në anën tjetër, Podvorica në Gjykatë ka deklaruar se nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë se çfarë ka bërë.

“Unë këto sende që i kam kryer, shpërndarjen e fotove i kërkoj falje gjykatës për këto sende, sepse nuk kam menduar se do të vije puna deri këtu. Andaj theksoj se jam penduar se kam bërë këtë shpërndarje të fotove dhe tani e tutje nuk do të përsëriten këto asnjëherë më në jetën time, sepse nuk kam pas ndonjë qëllim të keq apo që kam menduar keq për diçka”, ka deklaruar ai në gjykatore.

Kërkesën e prokurorit për paraburgim e ka kundërshtuar edhe avokatja e tij, Sabrije Krasniqi, me arsyetimin se i njëjti është penduar për veprimet e bëra të cilat kanë ardhur si pasojë e mos dijenisë se të njëjtat janë të kundërligjshme.

“I njëjti është pa punë dhe deklaron se ka hyrë në internet dhe se nuk ka pas çfarë të bëj, i kam parë ato gjëra në internet dhe duke mos ditur se janë të ndaluara ato vetëm i kam postuar”, shtoi avokatja.

Përkundër kërkesës së të pandehurit e avokates së tij, kërkesa e prokurorit rezultoi me aprovim nga Gjykata.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka gjetur se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, me ç‘ rast edhe ka marrë vendim që t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, me arsyetimin se me këto veprime inkriminuese, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka analizuar të gjitha provat e lartpërmendura më lartë ka analizuar se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2017, e deri më tani, në vazhdimësi përmes rrjetit social ‘Facebook’ me anë të postimit të xhirimit audio- vizuel dhe fotografive, bën propagandim në lidhje me organizatën terroriste ISIS, e duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë si dhe krijimin e shtetit islamik e që edhe se fundmi më 4 nëntor të këtij viti në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti e lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët në gjuhën angleze ‘Run over them without mercy’, e që në gjuhën shqipe do të thotë “nisu drejt tyre pa mëshirë ose ec mbi ta pa mëshirë”, thuhet në aktvendimin të cilin e ka siguruar kallxo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat