“Kush e spiunoi grupin e komandant Mujë Krasniqit që ra në pritën serbe natën e 14 dhjetorit 1998”

Lajme

“Kush e spiunoi grupin e komandant Mujë Krasniqit që ra në pritën serbe natën e 14 dhjetorit 1998”

Nga: Drilon Rrahmani Më: 8 janar 2018 Në ora: 18:33
Mujë Krasniqi me disa nga bashkëluftëtarët e vet

Publicisti Rexhep Shahu, ka ndarë një fragment të librit të tij ende në proces, "Lufta ime për Kosovën", ku kujton natën e 14 dhjetorit të vitit 1998, ku ai së bashku me Naser Kukën, në një kafene në Kukës, e kishin mësuar lajmin për vrasjen e 38 ushtarëve të Grupit të Komandantit, Mujë Krasniqi.

"Vrasjen e 38 ushtarëve të UÇK në Pashtrik, në Lubizhdë, natën e 14 dhjetorit 1998 e kam mësuar të nesërmen në Bar Amerika në Kukës ku kam qenë me Naser Kukën.
Nuk e di se si u mor vesh lajmi se UÇK ka ra në pritë, duke hy në Kosovë dhe janë vra 38 ushtarë nga grupi prej 140 ushtarësh të Kapuçit që ishte komandant Mujë Krasniqi",-shkruan Shahu

Ai mes rreshtave tregon se vrasjen e 38 ushtarëve prej 140 ushtarëve gjithësej të atij grupi, ua kishte përmendur emrat në Radio Kukësi dhe Radio Tirana në atë kohë, përveç dy ushtarëve që nuk emrat nuk ua mësonte dot.

"Për pak kohë, Naseri, përmes telefonit që ia mundësoi Musliu, pronari i lokalit, arriti të gjente emrat e 36 të vrarëve dhe unë i shkrova. Dy emra nuk i mësuam dot. Emrat e 36 ushtarëve të vrarë të UÇK i kam lexuar në Radio Kukësi dhe në Radio Tirana. Thuhej se grupi kishte 140 ushtarë e ushtare gjithsej"-thotë Shahu

Ai më tutje shkruan se kush i tradhtoi apo spiunoi ushtarët e atij Grupi, ku thotë se nëpër çdo kafene të Kukësit e Hasit, dëgjoheshin zëra që UÇK-ja do hyjnë në Kosovë nën Komandën e Komandant “Kapuqit”- Mujë Krasniqit.

Sot e atëhere, nuk e di a ia kam thënë Naserit atë natë që ndodhi tragjedia, tradhëtia, masakra, kam përgjigjen time që e kisha mësuar mes luftëtarëve të UÇK, se kush tradhëtoi apo spiunoi luftëtarët: ata vranë veten, “tradhtuan” veten e tyre, u “tradhtuan” prej shokëve, prej njëri – tjetrit, pa të keq, krejt, krejt pa qëllim e edhe prej krenarisë, prej mburrjes naive besoj e gëzimit që shfaqnin se do të hynin në Kosovë. Shumë ushtarëve u ishte bezdisë vetja tek rrinin në sheti në Kukës e Has në pritje të hyrjes në luftë dhe dëgjonin kopalla eprorësh të Kosovës e të Shqipërisë.  Kishte disa javë që përditë e përnatë dëgjoja nëpër kafe në Kukës e Has se një grup i madh ushtarësh do të hyjnë në Kosovë nën komandën e Kapuçit. Ky ishte lajm arës, për fushe, nuk ishte gjetje apo zbulim i imi. E derisa e dinte mileti, nuk e kishin të ndaluar ta dinin këtë lajm as serbët, as spiunët serbë që nuk e kanë patur të ndaluar dhe as të pamundur që të ishin të informuar për këtë zhvillim dhe për gjithë zhvillimet që ndodhnin në ato vite”- shkruan më tutje Shahu.

Në fragmentin e shkëputur, Shahutregon më së miri vullnetin dhe dëshirën e pastër të ushtarëve të UÇK-së për të luftuar dhe mbrojtur atdheun.

“Kam parë ushtarë UÇK të plagosur në Tropojë, ushtarë që luteshin e nguteshin të shëroheshin me u kthye në luftë në Kosovë dhe ata më kanë frymëzuar, ata më kanë krijue besim se vërtetë jemi rracë e pazhdukshme. Kam parë ushtarë të plagosur në spital në Kukës në duart e kirurgut Ylber Vata, ushtarë me pak a shumë pak shpresë shërimi tek më përgjigjeshin kur i pyesja në sy të doktorit “çfarë do të bëni pasi të shëroheni”, ”sa të shnoshna pak, prapë në luftë kam me shkue…”,”-ka shkruar Shahu në librin e tij që është duke e shkruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat