Thaçi dhe Erdogan me kompani të njëjtë lobuese në Amerikë

Lajme

Thaçi dhe Erdogan me kompani të njëjtë lobuese në Amerikë

Më: 12 janar 2018 Në ora: 20:34
Thaçi dhe Erdogan

Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që të kontraktojë një kompani amerikane lobimi, e cila do t’i ndihmonte atij që të përmirësonte raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këto shërbime, kompaninë e afërt me Presidentin Trump, shteti i Kosovës duhet ta paguaj 52 mijë dollarë në muaj ose mbi 1 milion dollarë për dy vjet. Kontrata u nënshkrua më 22 dhjetor në ditën kur Thaçi tentoi ta shfuqizojë Gjykatën Speciale. Kjo kompani shërbime të ngjashme i ofron edhe Erdoganit dhe Edi Ramës.

Presidenti Hashim Thaçi kishte zgjedhur një kompani amerikane të drejtuar nga lobisti Brian Ballard për të përmirësuar imazhin e vetë te amerikanët. Para tij, të njëjtin e kishin angazhuar edhe dy miqtë e Thacit; Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama.

Së fundmi, Presidenti është angazhuar në iniciativa politike për të cilat është kritikuar ashpër nga ndërkombëtarët. Nga kjo, ai e ka parë të nevojshme të kontraktojë një kompani lobuese, me pronar një lobist të afërt me Trumpin, që t’i ndihmojë në rregullimin e raporteve dhe të imazhit të tij.

Çmimi që vendi ka për të paguar për këtë dëshirë të Presidentit, s’duket të ketë qenë problem për të. Mbi një milion euro për dy vjet janë të rezervuara që Ballard të ndërmjetësojë mes Thaci e amerikanëve.

Kompania e kontraktuar, Ballard Partners, do t’i kryej zyrës së Presidentit shërbime si konsulta strategjike dhe shërbime të mbrojtjes në lidhje me marrëdhëniet e saj me qeverinë amerikane. Ballard & Partners do t’i plotësojë kërkesat që Zyra e Presidentit i ka kohë pas kohe.

Palët janë marrë vesh më 22 dhjetor të vitit 2017 dhe kontrata është e vlefshme deri më 21 dhjetor të vitit 2019 dhe përgjatë kësaj kohe, shuma do të paguhet në 8 këste. Secili këst përfshin tre muaj, ndërsa për një muaj Presidenti paguan 52 mijë dollarë. 

Kompania e kontraktuar ka për detyrë që ta këshillojë Presidentin dhe të avokojë në emër të Presidencës për të gjitha çështjet që Presidenti e sheh si të nevojshme dhe të përshtatshme para Qeverisë Amerikane.

Qëllimi i punës së kopmanisë amerikane do të jetë përmirësimi dhe forcimi i raporteve mes Kosovës me SHBA’në. Në fakt, përmirësimi i raporteve i duhet posaçërisht Presidentit Thaci, tani kur të gjithë ambasadorët e në veçanti ambasadori amerikan ka drejtuar gishtin ka krerët e lartë shtetërorë për destabilizimin e vendit. 

Lista e detyrimeve që kjo kontratë parasheh edhe ndihma në konsulta rreth forcimit i institucioneve të ligjit, luftën kundër terrorizmit, zhvillimi ekonomik.

Kontrata, më anë të të cilës Presidenti synon përmirësimin e raporteve dhe të imazhit të tij është nënshkruar më 22 dhjetor, pra në ditën e njëjtë kur këto marrëdhënie po rrezikoheshin seriozisht nga tentativa për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Më tutje, detyrë e kompanisë, në kontratë thuhet të jetë edhe informimi i Zyrë së Presidentit për zhvillimet ligjore dhe politike që ndikojnë në një mënyrë ose në tjetrën me Presidentin e Kosovës, ose lidhen me shërbimet që kjo kompani ka për të kryer për Thaçin.

Presidenca, përveç parave që do t’i japë, ka për detyrë që ta informojë saktë kompaninë, në mënyrë që ajo të kryejë punën e saj.

Lobisti Bryan Ballard, pronar i kompanisë Ballard & Partners, është i afër me Presidentin Trump dhe ishte angazhuar në fushatën e tij zgjedhore.

Të njëjtin që e ka zgjedhur Thaçi, ishte angazhuar edhe nga Presidenti turk Receep Tayyip Erdogan, për të lobuar në ekstradimin e Fetullah Gulenit në Turqi. Kjo kishte ndodhur pak kohë para se Erdogan ta vizitonte SHBA’në në maj të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat