Varroset në Beograd lideri serb i vrarë në Mitrovicë

Lajme

Varroset në Beograd lideri serb i vrarë në Mitrovicë

Më: 18 janar 2018 Në ora: 14:00
Pamje nga funerali i Oliver Ivanoviç

Beograd, 18 janar – Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, i vrarë më 16 janar në Mitrovicën veriore, është varrosur sot në Beograd. Atij i dhanë nderimet e fundit qytetarë e politikanë serbë nga Serbia e Kosova. Por, siç raportojnë mediat e Beogradit, varrimi i tij u bë vetëm me rite fetare dhe pa fjalime politikanësh.

Të vetmin fjalim aty e mbajti karateistja Tanja Petkoviq.

Në varrim, përveç familjarëve dhe bashkëpunëtorëve politikë serbë nga Kosova, merrnin pjesë edhe delegacioni i Qeverisë së Serbisë me kryeministren Ana Bërnabiq në krye, ndërsa pjesë e tij ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në këtë qeveri, Marko Gjuriq.

Në Varrezat e Reja të Beogradit, Alenë e të Suksesshëmve, ku do të pushojë përgjithmonë trupi i Ivanoviqit, ishin edhe ish-presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, pastaj ministrat Rasim Lajiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Branko Ruzhiq dhe Nenad Popoviq, po ashtu kryetari i SNV Millorad Pupovac (nga Kroacia), ish-kryetari i Këshillit Koordinues për KeM Nebojsha Çoviq, kryetari i DS Dragan Shutanoc, Lideri i Partisë së Re Zoran Zhivkoviq, Rada Trajkoviq, kryebashkiaku i Beogradit Sinisha Mali, Boris Tadiq i SDS-it, Vuk Jeremiq e të tjerë.

Oliver Ivanoviq u vra të martën, në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore të Mitrovicës, nga persona tash për tash të paidentifikuar. Ai ishte në konflikt politik me grupimin politik Lista Serbe, të themeluar e të mbështetur nga Beogradi. Po ashtu më 2014 ai qe dënuar më 9 vjet burgim për krime lufte në Kosovë, por që aktualisht mbrohej në liri.

Pos spekulimeve rreth dyshimeve për autorët e vrasjes së tij, ende nuk ka një pistë të sigurt, porse organet hetuese në Kosovë po merren me ngulm për zbardhjen e rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat